Pendarovski sot do ta marrë vërtetimin, nesër do të inaugurohet në Kuvend

në kategorine Maqedoni

Shkup, 11 maj 2019 (MEDIAL) – Presidenti i sapozgjedhur Stevo Pendarovski sot në mbledhje të Komisionit shtetëror zgjedhor do ta marrë vërtetimin se është zgjedhur shef i shtetit.

Paraprakisht KSHZ do ta mbajë mbledhjen publike në të cilën do t’i kumtojë rezultatet përfundimtare nga zgjedhjet presidenciale.

Pendarovski nesër do të inaugurohet në mbledhje në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, me çka edhe zyrtarisht do ta fillojë mandatin pesëvjeçar.

Në mbledhje Pendarovski do të japë deklaratë solemne para të zgjedhurve të popullit, anëtarëve të Qeverisë, liderëve fetarë, njerëzve të parë të armatës, korit diplomatik dhe mysafirëve nga jashtë.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi për MEDIAL-n deklaroi se deri më tani konfirmim për prani në inuagurimin e Pendarovskit ka arritur nga presidenti bullgar, Rumen Radev, nga presidenti shqiptar, Ilir Meta dhe nga presidenti kosovar, Hashim Thaçi. Të pranishëm do të jenë edhe zëvendëskryeministri i Turqisë dhe delegacioni nga Sllovenia, prej ku, gjithashtu, pritet përgjigje nëse delegacionin e tyre do ta kryesojë personalisht presidenti Borut Pahor.

Ftesa për prani në inaugurimin përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme u janë dërguar të gjithë shefave të shteteve anëtare të NATO-s dhe BE-së, përfshirë edhe përfaqësuesit e Komisionit evropian, si dhe nga vendet e rajonit.

“Deri më tani është konfirmuar prania e presidentëve të Bullgarisë, Shqipërisë dhe Kosovës, Radev, Meta dhe Thaçi, zëvendëskryeministrit të Turqisë dhe delegacionit nga Sllovenia”, tha Xhaferi.

Mbledhja duhet të fillojë në mesditë, ndërsa pasi që të hapet, presidenti i sapozgjedhur duhet të japë deklaratë solemne, do t’u drejtohet të zgjedhurve të popullit, pas çka do të pasojë koktel solemn.

Pendarovski, i cili u mbështet nga LSDM dhe koalicioni, në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale fitoi 436.212 vota, apo 51,66 për qind të votave të qytetarëve të cilët dolën në votim.

Stevo Pendarovski do të jetë shefi i pestë i shtetit që nga pavarësia. Para tij, funksionin e presidentit e kryen Kiro GLigorov, Boris Trajkovski, Branko Cërvenkovski dhe Gjorge Ivanov. .

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.