“Alba festival” do të jetë një festival unik open-air në Zvicër e më gjerë

në kategorine Diaspora

Adem Morina, bashkë organizator i “Alba Festival”: Rita Ora është gëzuar shumë për organizimin e festivalit dhe menjëherë ka pranuar të marrë pjesë”. Mimoza Lekaj, bashkë organizatore: “Në festival janë të mirëseardhur të gjithë ata që kanë interesim për kulturën dhe muzikën shqiptare! “Alba Festival” kuptohet si një festival Open-Air që lidh popujt mes vete”

E Shtunë, 11 Maj 2019 – 17:00
Intervistoi: Arben Gjinaj

Në fund të qershorit, në Cyrih mbahet festivali i parë open-air shqiptar për Zvicër e më gjerë “Alba Festival”. Organizimit të këtij festivali i është kushtuar hapësirë e madhe në mediet zvicerane, të cilat e vlerësojnë atë si një event unik sa i përket kulturës dhe argëtimit të komuniteteve të huaja në Zvicër. Po ashtu atij i njihet atributi i një aktiviteti që lidh dhe afron popujt mes vete.
Për të prezantuar profilin e “Alba Festival” nga dora e parë, platforma albinfo.ch, e cila është dhe partner medial i festivalit, ka zhvilluar një intervistë me iniciuesit dhe organizatorët kryesorë të tij: Adem Morina dhe Mimoza Lekaj.
Albinfo.ch: “albafestival” pritet të jetë festivali më i madh mbarëshqiptar në Evropë. Si lindi ideja, nga kush dhe si filluan bisedat?
Adem Morina: Ideja ka lindur gjatë një bisede me një mik timin i cili tash është po ashtu pjesë e organizimit. Ishte një ide “Flash ide” e tij dhe ne pastaj jemi bashkuar drejtpërdrejt në jetësimin e saj.
Albinfo.ch: Si janë duke shkuar përgatitjet rreth organizimit, deri ku keni arritur me përgatitje?
Mimoza Lekaj:Organizimi është në vlugun më të madh. Ne po punojmë bashkë me kompani të mëdha që kanë përvoja shumëvjeçare në fushë të organizimit të eventeve.
albinfo.ch: Në  cilat data dhe në cilin vend do të mbahet festivali?
Mimoza Lekaj: “Alba Festival”  do të mbahet më 29 dhe 30 qershor në Hardturm-Areal në Cyrih.
Albinfo.ch: Çfarë parashihet që të ketë në këtë festival?
Mimoza Lekaj:Me “Alba Festival” dëshirohet të mbushet një boshllëk në terrenin e festivaleve OpenAir dhe të krijohet një risi. Një miks koncertesh me artistë të dëshmuar ndërkombëtarë dhe artistë të rinj nga vendi e jashtë tij. Veç kësaj, edhe një larushi gjellërash shqiptare dhe ndërkombëtare si dhe shisha-bare të ndryshme do të jenë ato që do ta bëjnë ndryshimin në krahasim me festivalet tjera.
albinfo.ch: Sa këngëtarë parashihet të marrin pjesë?
Mimoza Lekaj:Ne kemi arritur që për këtë festival të angazhojmë më shumë se 18 artistë.
Albinfo.ch: Kemi parë  se keni siguruar ardhjen e emrave më të mirë të muzikës shqiptare. Sa ishte e vështirë që t`i bindni për të qenë pjesëmarrës?

Mimoza Lekaj: Artistët kanë qenë totalisht të entuziazmuar nga ideja, kështu që ne nuk patëm nevojë për forcë të madhe bindjeje. Artistët i gëzohen shumë festivalit ndërsa për ne është e rëndësishme se ata identifikohen me festivalin. Mjerisht nuk patëm mundësi t`i angazhojmë të gjithë artistët e mëdhenj shqiptarë, pasi që ne edhe për vitet në vijim kemi nevojë për një program të larmishëm dhe natyrisht, pasi që koha ishte e kufizuar.
albinfo.ch: Po Rita Orën, si e bindët dhe si e priti ajo ftesën për të marrë pjesë?
Mimoza Lekaj: Rita Ora është gëzuar shumë për organizimin e festivalit dhe menjëherë ka pranuar, ashtu siç e ka vërtetuar edhe në një intervistë për 20min.ch.
Albinfo.ch: Rita Ora, do të këndojë në natën e parë apo në të dytën?
Mimoza Lekaj:Ne do ta bëjmë të njohur programin vetëm pak ditë para festivalit, pra do ta publikojmë më vonë.
albinfo.ch: Çfarë kushtesh ka kërkuar Rita që të jetë pjesë e këtij festivali?
Mimoza Lekaj: Rita Ora ka parë se ne po e ngremë në këmbë një festival me nivel të lartë profesionaliteti. Kompanitë me të cilat ne po bashkëpunojmë janë shumë profesionale dhe kanë përvojë të gjatë në organizim festivalesh.
albinfo.ch: Mimoza, sa është duke ndihmuar në popullarizimin e festivalit publiciteti juaj si “influencerin” (influencuese) e njohur tashmë në Zvicër?
Mimoza Lekaj: Unë qysh më parë kisha arritur numër të madh personash përmes kontos time në Snapchat. Qëllimi im është natyrisht që të arrij sa më shumë njerëz që të jetë e mundur për “Alba Festival”.
albinfo.ch: Shohim se ka një interesim të jashtëzakonshëm të njerëzve për të qenë pjesë e këtij festivali. Sa persona prisni që të marrin pjesë?
Mimoza Lekaj: Në dy ditët e festivalit priten më shumë se 25.000 fansa të muzikës nga Zvicra dhe gjithë Evropa. Ne tashmë kemi rezervime nga shumë vende të Evropës, si nga Berlini, nga Norvegjia, Mançesteri etj.
albinfo.ch: Sa do të kushtojë bileta për të hyrë në festival, dhe çfarë do të ofroni në atë biletë (a mund të përdoret një biletë unike për të dy ditët e festivalit)?
Mimoza Lekaj: Bileta për një ditë kushton 100.90 franga ndërsa bileta dyditore mund të merret për 130.90 franga.
Albinfo.ch: Kemi dëgjuar, se vizitorët e festivalit do të kenë mundësi të shërbehen edhe me pije dhe ushqime të ndryshme. Për çfarë ushqimesh bëhet fjalë?
Mimoza Lekaj: Do të kemi specialitete shqiptare ashtu si dhe ndërkombëtare në mënyrë që për secilin të ketë nga diçka, po ashtu edhe për miqtë tanë vegjetarianë.
Albinfo.ch: Shpesh herë kemi dëgjuar të bëhet kjo pyetje: Festivali, a është vetëm për shqiptarë apo në të kanë të drejtë të marrin pjesë edhe nacionalitetet tjera?

Mimoza Lekaj: Natyrisht, janë të mirëseardhur të gjithë ata që kanë interesim për këtë muzikë dhe kulturë ose që duan të njihen me to! “Alba Festival” kuptohet si një festival Open-Air që lidh popujt mes vete, i cili synon që me muzikë dhe kuzhinë ta bëjë të gjithë kulturën shqiptare një përjetim unik, pavarësisht nëse bëhet fjalë për Shqipërinë, Kosovën ose Maqedoninë.
albinfo.ch: Si do të jetë çështja e sigurisë dhe a lejohet hyrja nën moshën18 vjeçare?
Mimoza Lekaj: Festivali u dedikohet personave nga mosha 18 vjeçare e tutje. Ne po bashkëpunojmë me një kompani zvicerane (Security & Safety AG. Shih: securityandsafety.ch). Kjo firmë do të sjellë me vete një përvojë shumëvjeçare në fushë të sigurimit të festivaleve (si: Zürich Open Air, Open Air Frauenfeld etj.). Të gjithë punonjësit e saj janë të trajnuar sipas kritereve të VSSU.
Ne do të bëjmë kontrollime rigoroze të dokumenteve të identitetit, pastaj Bodysearch dhe kontrollim të çantave në hyrje. Po ashtu një numër i mjaftueshëm personash të sigurimit do të patrullojnë brenda dhe jashtë hapësirës së festivalit. Gjithashtu edhe në prag të mbajtjes së festivalit do të ndërmerren masa të ndryshme sigurie. Hapësira ku mbahet festivali do të bllokohet dhe kontrollohet gjate kohës së ngritjes dhe çmontimit të strukturave të festivalit. Mysafirët munden që në çdo çast për shqetësimet e tyre t`i drejtohen personelit të siguruimit,
albinfo.ch: Si mund të sigurohen (blihen) biletat dhe a kanë dalë ende në shitje?
Mimoza Lekaj: Biletat mund të blihen online te starticket.ch. https://www.starticket.ch/de/tickets/alba-festival-20190629-1400-20190630-2300-hardturm-areal-zurich . Po ashtu ato mund të sigurohen edhe në pikat tona të shitjes, si: Post, Manor, LenoxShisha Lounge, NY Shisha Hardys, Siddhartha Buddha Lounge & Disco Enjoy (Deutschland) Coop City.
albinfo.ch: Si po pritet ky festival nga opinioni zviceran?
Mimoza Lekaj: Ka mendime të ndryshme por reagimet, marrë në përgjithësi, janë shumë të mira.
albinfo.ch: Cilat janë pritjet e juaja për këtë festival?
Mimoza Lekaj: Do të jetë një festival i paharrueshëm.
Intervistoi Arben Gjinaj

Burimi: https://www.albinfo.ch

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.