Dy vajza të vrara njëlloj që do t’i mungojnë Tiranës

në kategorine Opinione

Këtë javë Tirana do të ketë dy vajza më pak. Dy vajza të bukura që pavarësisht formës së ndryshme sesi ndodhi, janë vrarë në të njëjtën mënyrë.





E bukura Zarife Hasanaj iku nga një shpërthim bombe. Ushtarake në mision, ajo ishte në luftë dhe e gatshme për të luftuar në emër të paqes. Ajo nuk mundi t’i veshë vetes fustanin e bardhë, por do të përcillet nga Tirana me breshëri nderi, me uniformën ushtarake dhe flamurin që i shërbeu. Kështu e desh fati, do të vajtojnë për të kush e njohu të gjallë dhe kush ndjeu dhembje për ikjen e saj.

Një tjetër vajzë shqiptare është vrarë.

Edhe Ilda Topalli që iku nga puna nga një firmë zyrtarësh. Diplomate në mision dhe atipike për kohën që jetojmë.

Pa miq, pa teserë partie, pa dashnor të pushtetshëm. Pa asnjë nga këto kritere të rëndësishme për karrierën e një vajze të bukur – në djall diploma dhe kualifikime – ajo duhet të hapë krahun. Nuk ishte çështje fati për Ildën. Ky është fataliteti i kohës që jetojmë.

Dikush tjetër, me siguri, është e gatshme për ta zëvendësuar.

Në mungesë të diplomës, vlen buzëqeshja prej kokete, në vend të të ndenjurave të forta për të punuar pafund në tryezë, afrohen një palë të ndenjura palestre në Curriculum Vitae, kaq mjafton për atë katapultë që e bën dhe harbutin të duket zotni dhe koketën e lehtë, të duket zonjë.

Shumë vajza të tjera kanë pasur të njëjtin fat dhe janë vrarë në heshtje.

Janë rekrutuar në punë në shtet apo në privat jo për çfarë dinë të bëjnë, por nëse dinë ta bëjnë. Përjashtimet e rralla vetëm sa fshehin një rregull gati të pashkruar: punëdhënësi i paraditës, është dhe dashnori i të njëjtës paradite.

Ka një makth ikjeje në Tiranë këto kohë. Nëse besohen lajmet që sheh në televizor, nëse dëgjohet se çfarë thonë politikanët, nëse thithen ato që diskutohet në tryeza analistësh, është e lehtë të kuptohet, ndjehet dhe të jetohet Shqipëria si një vend në luftë.

Shumëkush vendos të ikë. Të ikë nga sytë këmbët.

Larg prindërve të pamundur.

Larg kujtimeve të fëmijërisë.

Larg varreve ku qahet dhe ngushëllohet me lotët e të shkuarës e ardhmja që tremb.

Në emër të një jete më të mirë.

Të një shkollimi dinjitoz për fëmijën.

Për pak qetësi më shumë dhe për më shumë mbrojtje nga fati.

Eh fati. Ai është gjithmonë njëlloj. Si në rastin e të bukurës Zarife, si në rastin e diplomates Ilda. Në fund fare të dyja u vranë në të njëjtën mënyrë. Për t’i munguar po njëlloj Tiranës që nuk mundi t’i mbajë dot.

 

Burimi: http://www.gsh.al

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.