Zbritën nga malet dhe na i morën zemrat, por…

në kategorine Opinione

Zbritën nga malet dhe na i morën zemrat. Jo pse na e sollën lirinë, sepse lirinë na e solli bota demokratike dhe gjaku i derdhur i popullit tonë, por vetëm pse e merrnim me mend se sa vuajtje do duhej të kishin përjetuar që ashtu të pa armatosur mirë, pa ushqim dhe pa veshmbathje të mirë, pa qenë në gjendje ta bënin një gjumë të plotë… ishin gjendur përballë armikut serb, një armate ushtarësh, policësh, paramilitarësh aq të ngjeshur me armë e me teknikë armatimi dhe mbi të gjitha me urrejtjen e pashembullt ndaj gjenit shqiptar! Kur kujtonim se si këto hordhi serbe na vranë e masakruan më të dashurit tanë, që na dhunuan nënat, gratë, motrat dhe bijat tona, që na dogjën shtëpitë, na i vodhën makinat e na i plaçkitën pasuritë, s’kishim se si të mos kishim emocionin më të mirë për djemtë e vajzat tona, për ata dhe ato që sidoqoftë, kishin pasur zemër të ndesheshin me armikun dhe ndonjëherë t’ia kthenin pushkën atij.

Ne menduam se nga këta ushtarë të lirisë do të krijonim bërthamën e mbrojtjes dhe ushtrinë tonë të ardhshme, një ushtri të lavdishme, prandaj lehtë ua falem zemrat. Edhe kur zunë të quheshin komandantë dhe të na tregonin gradat, ne s’kishim gjë kundër, edhe pse e dinim se iu mungonin shkollat dhe dijet profesionale për të qenë zotër të gradave që merrnin. Fundja gjithcka ishte si një uverturë e ringjalljes nga ferri që kishim përjetuar dhe e rifillimit të jetës aty ku e kishim lënë para lufte dhe të gjithë po jetonim me iluzionin se pas apokalipsës që kishim përjetuar do të lindëte një diell i ri, një pranverë e re dhe një shekull i ri për shqiptarët. Mbi të gjitha, do të shfaqej njeriu ynë i ri që të gjitha ato vuajtje të popullit të tij, do të dinte t’i shndërronte në një energji të re, të fuqishme dhe konstruktive për rindërtimin e vendit dhe për krijimin e një kualitet të ri të jetës për ata që do të jetojnë të lirë.

Por, gjerat nuk rrodhën ashtu si menduam, shpresuam dhe pritem! “Gjeneralët” braktisën bërthamën e mbrojtjes sonë duke e trajtuar atë si diçka të pavlerë dhe i mëshuan shqelma dyerve të partive politike. Thyen dyert dhe hynë brenda. Partitë i shndërruan në shtabe të plaçkitjes të krejt asaj që e kishim krijuar për dekada me djersën tonë dhe që i kishte shpëtuar edhe rrenimeve të armikut! Shkatërruan pasuritë kombëtare duke ndarë ato me njëri tjetrin dhe me këdo tjetër që iu ofronte kompromisin. Skatërruan universitetin, pikërisht duke krijuar edhe aty sindromin e gjeneralëve analfabetë, duke marrë tituj e dhënë tituj të pamerituar.
Shkatërruan radio-televizionin publik! Ashtu sikurse dikur që Serbia kishte përzënë shqiptarët dhe kishte vendosur serbët dhe ndonjë servil shqiptar, këta hoqën të mirët dhe i zëvendësuan me të kqinjtë, servilë të tyre!
Shkatërruan ndërmarrjet publike duke punësuar jo sipas dijes dhe aftësive, por sipas lidhjeve e miqësive! Pastaj shkatërruan çdo gjë që e mban trupin dhe shpirtin e njeriut dhe popullit.

Shkatërruan shtetin!

Shkatërruan ardhmërinë.

Ata pra na i morën zemrat dhe na i thyen ato për toke. Ata që do të duhej tërë jetën dhe përtej jetës të ishin çlirimtarë, u shndërruan në varrëtarë të emrit të tyre dhe në varrtarë të ardhmërisë sonë.

Tepër e çuditshme dhe tepër e komplikuar! Mbi të gjitha, tepër e dhembshme!

Burimi: http://www.ekonomiaonline.com/

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.