Humori në Shqipëri është mizogjen, racist dhe homofob

në kategorine Opinione

Humori në Shqipëri gdhihet dhe ngryset me politikën. Është mizogjen, racist dhe homofob. Vë në dukje ndryshimet që kemi me njëri-tjetrin duke e kontekstualizuar me talljen dhe përcjellë mesazhin që këto ndryshime duhen patjetër vënë si nishan luftash klasash. Pa përcjellë kurrëfarë mesazhi për përqafim ndryshimesh apo kujtuar njerëzit që qëllimi është të përmirësojmë veten çdo ditë.





Humori në Shqipëri vë në qendër njeriun politik. Përcjell mesazhin që gjithçka kemi sot, është për shkak, për faj dhe për meritë të tyre. E zhvesh njeriun e zakonshëm nga idea që mund të ketë çfarëdo përgjegjësie për pikën ku ndodhet ky vend. Pra, i heq shpresën dhe ngenë për të luajtur këmbët dhe duart e për të nisur një ndryshim, apo përfunduar një ndryshim të nisur.

Humori në Shqipëri e bën publikun dembel. I servir një pjatë të kollajshme, të gatuar pa lodhje dhe të ngrënshme lehtë, por e cila ka vështirësi në tretje. Ndaj shikuesit shqiptar sot (jo vetëm ata të rrahurit dhe të mprehtët) kanë tendencën t’i kalojnë kanalet me shpejtësi pa i dhënë shumë kohë vetes për të vendosur ç’të shohin. Sepse janë të ngopur. U duken krejt njësoj. Ose, krejt e kundërta. Qëndrojnë për inerci në të njejtin kanal ku ndjekin horoskopin, parashikimin e motit, reklamat, lajmet, telenovelat, pa marrë mundin të eksplorojnë diçka tjetër, duke qëndruar kështu mbi pllakën e ekuilibrit si vdekje artistike.

Humori në Shqipëri nuk e bën shqiptarin të mendojë, i krijon vetëm hapësirën të shfryjë mllefet qe ka kundrejt një situate apo personazhi. Humori në Shqipëri krijon “bullies” duke dhënë të parët shembullin e ngacmuesve dhe ngacamanëve. Legjitimon në emer të humorit dhe autoironisë çdo shkelje etike apo profesionale. Nëpërkëmbjen e cdo individi për hir të humorit dhe larg qoftë të ketë reagime e pasoja. Vazhdohet më dhunshëm, më poshtërsisht.

Nëse flasim pastaj për rolin që kanë vajza, gruaja dhe seksi në humorin që bëhet sot në vendin tonë është të vesh duart në kokë. Dhe nuk po i hyj fare shpjegimit dhe as përshkrimit sepse të gjitha ne e dimë kush jemi dhe si jemi, ndaj po ja u lë të gjithave ju ta mendoni si ju përshkruajnë të jeni dhe të mos jeni.

Burimi: http://www.gsh.al

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.