Ferrari dominon provat e lira

në kategorine Formula 1/Sport

Ka përfunduar edhe sesioni i tretë dhe i fundit i provave të lira të Çmimit të Madh të Bakusë në Azerbajxhan, ku Ferrari vijon të konfirmohet në formë të mirë.

Piloti francez i “kokëkuqes”, Charles Leclerc regjistroi kohën më të shpejtë, 1.41.604, me gomat “Soft”, të njëjtat që përdori edhe gjermani Sebastian Vettel, i cili u rendit i dyti.

Me më tepër se një sekondë më ngadalë se makinat Ferrari, kohën e tretë më të mirë e vendosi piloti i Red Bull, Max Verstappen, ndërsa pas tij dy makinat Mercedes, Valteri Bottas dhe Lewis Hamilton.

Sot në orën 17:00 do të zhvillohen edhe provat zyrtare, ku pritet të përcaktohet edhe radha e nisjes për garën, që është planifikuar për nesër në orën 16:10.

Ferrari e ka nisur keq sezonin dhe nuk ka fituar asnjë prej 3 garave të para, ndërsa synon të rikthehet te suksesi, duke filluar që nga gara e nesërme në Baku.

Burimi: MEDIAL.mk

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.