FOTO/ Punime intensive për veprat e munguara të artit në rrugën e Kombit

në kategorine Shqipëri

TIRANË, 18 prill /MEDIAL/ – Në rrugën e Kombit nga tuneli i Kalimashit deri në grykë Morinë po vijojnë punimet intensive për veprat e munguara të artit në këtë rrugë.
Përfundimi i këtyre urave do mundësojë lidhje të shpejtë mes Kukësit dhe Tiranës dhe Shqipërisë me Kosovën.
Prefekti i qarkut të Kukësit, Zenel Kuçana, tha për MEDIAL-në se “po punohet me ritme më të larta në mbikalimin në Fushë-Dukagjin, me gjatësi 52 m, me dy korsi që lidh dy anët e rrugës, me Shën Mërinë dhe Fushë-Arrëzin”.
“Ky është një investim i koncesionarit me vlerë 5 milionë euro dhe pritet të përfundojë deri në fund të muajit qershor, duke qenë gati për sezonin turistik, në mënyrë që qytetarët kosovarë ta kenë më të lehtë qarkullimin drejt qyteteve turistike të Shqipërisë dhe anasjelltas”.
Prefekti Kuçana bëri të ditur gjithashtu se “vazhdon me intensitet puna nga ana e Autoritetit Rrugor Shqiptar edhe për dublimin e urave mbi lumin Luma”.
“Deri në fund të këtij muaji do të vendosen trarët e betonit, pastaj do vazhdojë hedhja e betonit. Në fillim të fluksit të sezonit turistik urat do të jenë funksionale nga Morini deri tek Tuneli”, – theksoi Kuçana.
Sipas tij, nga ndërtimi i këtyre urave do të përfitojnë rreth 1000 banorë të këtyre fshatrave.
Prefekti Kuçana tha se “janë në proces ndërtimi dy mbikalime për këmbësorë për fshatin Shtiqen që lidhet me fshatin Kodër Lum dhe Gjegjan, që lidh dy pjesët e fshatit”.
Po ashtu, vijoi prefekti Kuçana, koncesionari ka bërë gjithashtu punime edhe në tunelin e Kalimashit, duke riparuar problemet teknike, të ajrosjes, janë larë dhe lyer dy tunelet, me gjatësi 11.2 km gjithsej.
Qeveria shqiptare po investon për të përfunduar urat dhe pjesë të rrugës të lëna përgjysmë, me qëllim që ta përfundojmë këtë segment rrugor, ashtu siç duhet, brenda të gjitha standardeve të duhura. /k.s/j.p/

 
.

Burimi: http://ata.gov.al/

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.