Reka: Rezultati i zgjedhjeve të sotme i kanë tejkaluar pritjet tona

në kategorine Maqedoni

Shkup, 21 prill 2019 (MEDIAL) – Rezultati i zgjedhjeve të sotme i ka tejkaluar pritjet tona. Sipas rezultateve të para  të përpunuara 55 për qind të votave kam marrë mbi 50 mijë vota, ndërsa deri në fund pres ta mbërrij numrin prej mbi 80 mijë vota, porositi kandidati presidencial Blerim Reka në fjalimin pas përfundimit të procesit zgjedhor.

“Në të gjitha komunat me popullatë dominante shqiptare  udhëheqim me  3:1, ndërsa kam marrë vota edhe në të gjitha komunat me shumicë maqedonase. Nuk ka komunë me shumicë maqedonase ku nuk kam marrë vota. Këto 80 mijë vota e delegjitimojnë politikën dhe kanë treguar me me cilin  dhe për kë është populli. Kjo paralajmëron pranverë politike në Maqedoni e cila do të çimentohet në zgjedhjet e parakohshme parlamentare”, potencoi Reka.

Zgjedhjet i vlerësoi si korrekte, të lira dhe demokratike, ndërsa theksoi se  nuk ka jehonë e madhe për shkak të listët së paazhurnuar zgjedhore e cila numëron rreth 1,8 milionë votues edhe pse, siç tha, nga vendi janë shpërngulur më shumë se 250.000 persona dhe numri real i votuesve është rreth 1,5 milionë.

“Druaj se në zgjedhjet e ardhshme qofshin ato parlamentare apo presidenciale do të kemi më pak vota sepse do të kemi më pak qytetarë. Dita e sotme ka treguar se përveç shtetit të robëruar jemi përballur edhe me elektorat të robëruar nga partia e cila sipas burimeve tona u ka bërë thirrje të mos dalin në zgjedhje”, tha Reka.

Paralajmëroi se as ai, as të dyja partitë të cilat qëndrojnë pas tij nuk do të bëjnë pazare me votat  e votuesve që kanë votuar për të siç kanë premtuar në fillim të fushatës zgjedhore.

“Ato janë vota të tyre dhe orientimi i tyre politik, ndërsa ne nuk jemi tregtarë me vota”, tha Reka.

I pyetur nëse pas përfundimit të zgjedhjeve presidenciale do të përfshihet në politikë, Reka tha se do ta presë rezultatin përfundimtar dhe nëse merr më shumë vota nga partia shqiptare e cila është në pushtet tashmë 18 vjet do të mendojë nëse do të hyjë në politikë.

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, në përgjigjen i pyetur nëse do të kërkojnë zgjedhjet të parakohshme parlamentare pas përfundimit të zgjedhjet presidenciale, tha se ata si parti opozitare kanë kërkuar që zgjedhjet të parakohshme parlamentare të mbahen bashkërisht me presidencialet, por këtë nuk e ka lejuar partneri i koalicionit të bllokut shqiptar të kryeministrit Zaev.

“Sot janë përballur me mbështetjen që BDI-ja e ka te shqiptarët, ndërsa kjo është e pavlerë. Nuk peshojnë më shumë se 20 deri në 30 mijë vota, ndërsa nuk do të kalojnë 40 mijë vota. Nga ana tjetër kryeministri duhet ta mbajë fjalën e tij, tha se nëse humb vetëm një votë do të shpallë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Për këtë do të presim të numërohen  votat dhe do ta mbajmë për fjale”, tha Sela.

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.