Nesër afati i fundit, vetëm një parti aplikon për pjesëmarrje në zgjedhje në veri

në kategorine Kosovë

Ndonëse nesër përfundon afati për certifikimin e partive politike për pjesëmarrje në zgjedhjet në veri, deri tani, vetëm Partia Demokratike e Kosovës ka aplikuar që të marrë pjesë në këto zgjedhje.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka bërë të ditur për “Zërin” se nesër do të përfundojë afati për aplikim dhe se deri më tani përvec PDK-së nuk ka parti tjetër që ka aplikuar për certifikim.

“Deri më tani kemi pranuar aplikimin e një subjekti politik për t’u certifikuar për pjesëmarrje në këto zgjedhje. Bëhet fjalë për partinë politike Partia Demokratike e Kosovës, e cila ka paraqitur aplikimin për kryetar të këtyre katër komunave. Afati i fundit për subjektet politike dhe kandidatët që të aplikojnë për t’u certifikuar për pjesëmarrje në Zgjedhjet e Jashtëzakonshme në këto katër komuna është data 18 prill. Aplikimet në ditën e fundit do t’i presim deri në orën 24:00”, ka thënë Elezi.

Ai tutje ka shtuar se të gjitha aplikimet që pranohen do të shqyrtohen nga Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim, që pastaj do të paraqesë në KQZ rekomandimet përkatëse për çdo aplikim, për certifikim ose jo.

Zgjedhjet në veri do të mbahen më 19 maj, dhe është paralajmruar që do të marrin pjesë edhe partitë politike serbe.

Burimi: http://kosova.info/

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.