Takimi i Berlinit, shans për Kosovën dhe Serbinë

në kategorine Kosovë

Takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor, i cili është paralajmëruar të mbahet më 29 prill, në Berlin, ku nikoqir të takimit pritet të jenë kancelarja gjermane, Angela Merkel, si dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, është takim tradicional dhe joformal, por megjithatë, kësaj radhe nuk do të jetë i zakonshëm, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë dhe në Serbi.

Politologu Ramush Tahiri, thotë për Radion Evropa e Lirë, se në takimin e 29 prillit në Berlin, po synohet të gjenden zgjidhje për problemet në Ballkan e të cilat, së fundmi kanë të bëjnë me problemin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe problemin e Bosnjë e Hercegovinës.

Por,
sipas tij, temë kryesore në takimet shumëpalëshe, e sidomos në takimet
dypalëshe dhe ndërmjetësuesve, do të jetë çështja e zgjidhjes së problemit
ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe arritjes së një marrëveshjeje ndërmjet dy
vendeve.

“Pres
që kjo mbledhje në Berlin ta ketë simbolikën në arkitekturën e ardhshme
politike të Ballkanit, t’i jep goditje ndarjeve dhe copëtimeve etnike dhe
krijimit të shteteve të mëdha, si dhe të krijojë balancin, por edhe të krijojë
shoqërinë e vlerave evropiane dhe bashkëpunimin ndërmjet shteteve. Në këtë
rast, bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është tejet i rëndësishëm dhe
ruajtja e Bosnjës në formën e tashme ose të bashkëpunimit ndërmjet popujve dhe
dy etniteteve”, tha Tahiri.

Sipas
Tahirit, tashmë është moment historik për arkitekturën e ardhshme të Ballkanit,
ndërkohë që simbolika është e Berlinit, për shkak se në Kongresin e Berlinit,
në vitin 1878, ishin caktuar konturat e Ballkanit dhe ishin krijuar shtetet
sllave në funksion të synimit për largimin e Perandorisë Osmane.

Por,
sipas tij, populli shqiptar, si tërësi, asokohe nuk arriti të bëhet objekt i
shtetësisë. Por, siç thekson Tahiri, tashmë Kosova ka dal në skenën historike
dhe më nuk zhbëhet, si dhe tashmë është moment historik i kacelares Angela
Merkel, e cila, sipas tij, po e zhvillon opsionin e policentrizmit apo popujve
të barabartë.

Ndërkaq, Dushan Janjiq, drejtor i Forumit për marrëdhënie etnike në Beograd, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se është shumë e rëndësishme takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor në formatin, siç është takimi i Berlinit, për shkak se siç thotë ai, tashmë ekziston një krizë e tërësishme në dialogun e Brukselit.

“Vet
ky takim dhe zhvillimi në nivelin e paralajmëruar, flet që Bashkimi Evropian me
dijeninë dhe në koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë vendosur që
nga liderët institucional të kërkojnë që të sqarohen se a do të mbesin në
rrugën drejt hyrjes në Bashkimin Evropian. Së dyti, kur bëhet fjalë temën e statusit
të Kosovës, mendoj që rikujtohen sërish qëndrimet e harmonizuara të Grupit të
kontaktit, prej të cilave, gjatë këtyre muajve përmes propagandës dhe mënyrave
tjera, është përjashtuar integriteti territorial”.

“Pra,
çështja e kufijve është temë, por jo shkëmbimi i pjesëve të territorit dhe
shkëmbimi i popullsisë. Mendoj që do të jetë shumë e rëndësishme edhe porosia,
të cilën besoj që do ta kuptojë udhëheqja e Kosovës, se Serbia nuk është e
detyruar për njohjen e plotë të Kosovës nën firmën e normalizimit”, ka thënë
Janjiq.

Ai ka shtuar se të dy nikoqirët e takimit të Berlinit, Merkel dhe Macron, pritet të ndikojnë në Bashkimin Evropian, që ky i fundit të sqarojë se çfarë nënkupton me normalizimin e plotë të marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe cilat do të jenë kriteret e nënshkrimit të një marrëveshjeje juridikisht obliguese.


anën tjetër, të dy presidentët, të Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe
Aleksandar Vuçiq, janë shprehur se nuk presin shumë nga ky takim.

Presidenti
i Kosovës,Thaçi ka thënë se “nuk pret diçka të re nga ky takim në raportet
ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Ndërkaq,
presidenti i Serbisë, Vuçiq ka theksuar se nuk pret “presione” dhe se “nuk do
të ketë diçka të tillë në atë formë”.

Politologu
Tahiri, thekson që të dy presidentët, në fakt, e dinë fare mirë se pse janë të
ftuar në takimin e Berlinit.

“Të
dy presidentët, i Serbisë dhe i Kosovës, gjithsesi janë të vetëdijshëm se nuk
shkojnë për vizitë turistike dhe nuk shkojnë për vizitë promovuese dhe për
fotografi. Ata shkojnë për t’i marrë vlerat evropiane, të cilat nuk janë
detyruese, por janë alternativë, të cilën do t’ua ofrojnë Franca dhe Gjermania,
Kosovës dhe Serbisë dhe ajo është alternativa e pajtimit dhe e pranimit të
realiteteve dhe bashkëpunimit. Unë pres shumë prej kësaj konference, sepse nuk
do të jep asnjë shans që të vazhdojë status quo-ja dhe nuk do t’u jep asnjë
shans që politikat nacionaliste të mund të vazhdojnë në Ballkan”, u shpreh
Tahiri.

Ndërkaq, Janjjiq shpreh mendimin se megjithatë në takimin e Berlinit do të kërkohet nga liderët e Kosovës dhe të Serbisë që të tërhiqen nga “rruga e verbër” në të cilën kanë hyrë.

“Ata
nuk duhet të sillen, sikur dikur që ishte sjellë Milosheviq, kinse ‘ja po
shkojmë atje të luajmë’ dhe pastaj “të themi që Rambuje më nuk vlen’. Ky është
një takim shumë serioz, prapa të cilit janë dy liderë udhëheqës, e sidomos
Merkel, e cila ka investuar jo vetëm kredibilitetin e politikës së jashtme, por
kjo për Gjermaninë është çështje e politikës së brendshme. Ky takim është mjaft
serioz, por nuk është i tillë, në të cilin do të nënshkruhet diçka”, ka thënë
Janjiq.

Sidoqoftë,
në takimin e Berlinit më 29 prill janë ftuar presidentët dhe kryeministrat e
vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Presidenti i Serbisë, Vuçiq, më herët ka deklaruar se një marrëveshje me Kosovës, bazuar në zhvillimet e tanishme, është larg për tu arritur. Ndërkaq, presidenti i Kosovës, Thaçi, ka thënë se “marrëveshja për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është e mundur të arrihet gjatë vitit 2019 pavarësisht pengesave në muajt e fundit”.

Burimi: http://kosova.info/

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.