Nagavci flet për punësimet partiake në MAShT, Balaj për ato në Prizren

në kategorine Kosovë

Protesta e VV-së dhe sllogani i tyre “PANhajnia”, sipas deputetes së Nismës Socialdemokrate, Albulena Balaj Halimaj, nuk është ndonjë risi, meqë sipas saj, diçka e tillë pritet prej Vetëvendosjes.

“Krijimet e VV-së janë të tilla, me këto do të merren se s’kanë punë tjera”, ka thënë Balaj Halimaj, në Rubikon të KTV-së.

Duke u përgjigjur në kritikat për punësimet e familjarëve e partiakëve, ajo ka thënë se në Ministrinë e Arsimit, ajo ka thënë se nuk e njeh asnjë anëtar të Nismës i cili punon në atë Ministri.

“Asnjë. Nuk e di pse nuk e shikojnë komunën e Prizrenit ku janë punësuar qindra militantë të VV-së”, ka thënë deputetja e NSD-së, Albulena Halimaj Balaj.

Deputetja e VV-së, Arbërie Nagavci, përmendi punësimet në ministrinë e Arsimit, që sipas saj, janë anëtar të Nismës.

“Inspektorët e Arsimit ish dashtë të zgjidhen me konkurs publik. Sekretari i Arsimit ka nënshkruar marrëveshje që të transferohet drejtori i shkollës nga Malisheva si inspektor në komunën e Gjakovës ndërsa rasti i dytë, njëjtë, është caktuar inspektor në Gjilan pa asnjë ditë pune në arsim”, ka thënë Nagavci.

Haxhiu ironizon me opozitarizmin e LDK-së, “të gjithë po duan të tregojnë se janë për kryetar të partisë”

Deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, ka ironizuar me mënyrën se si LDK-ja po bën opozitë.

Ka thënë se e kupton këtë parti, meqë sipas saj, duke qenë në proces të brendshëm zgjedhor secili prej tyre e ka interesin të tregojë se është figurë e rëndësishme dhe i gatshëm për të marrë drejtimin e partisë.

“Është shumë e rëndësishme prej kujt vjen, cilado çështje, qoftë për familjarizëm, qoftë për punësime por edhe për zgjedhje. E kuptoj LDK-në meqë është në proces zgjedhor sepse secili prej tyre e ka interesin të tregojë se është figurë edhe për kryetar të LDK-së”, ka thënë Haxhiu në Rubikon të KTV-së.

“Krejt çka mund të bëhet është që duhet të ndodhë diçka, mos me funksionu koalicioni ose me ndodh diçka e jashtëzakonshme. Derisa e thanë prej fillimit dhe ne asnjëherë s’kemi thënë se kemi numra më shumë se aq sa kemi mirëpo ne me ata numra po vazhdojmë të punojmë”, ka thënë Haxhiu.

“Për m’i thonë dikujt hajn fillimisht duhet me dit se kush ka vjedh dhe ku ka vjedh. Kosova është vend i vogël dhe dihet se kush çka ka bërë. Është e drejtë e opozitës me kërku zgjedhje, sikur kemi kërkuar ne. Sinqerisht po punojmë me gjithë sfidat që i kemi përpara”, ka thënë ajo.

Deputetja e LDK-së thotë se s’i kanë votat për rrëzimin e Haradinajt, VV-së s’i bashkohen në protesta

Lidhja Demokratike nuk i ka numrat për të rrëzuar qeverinë Haradinaj dhe kësisoj, sipas deputetes, Valentina Bunjaku Rexhepi, thotë se partia e saj ka vendosur që përmes programit të mundohet ta rrëzojë qeverinë, por assesi t’i bashkohet Vetëvendosjes në protesta.

“Duhet të ketë zgjedhje në këtë Republikë sepse me këtë qeveri të skandaleve, qeveri që pas luftës nuk mbahet mend më e dobët, realisht nuk po funksionon”, ka thënë ajo.

“Ne si LDK jemi të gatshëm me hy në zgjedhje mirëpo dihet qartë se nuk i kemi numrat meqë dihet se PSD-ja i është bashkuar qeverisë PAN dhe kësisoj ne nuk i kemi numrat për të proceduar”, ka thënë Bunjaku Rexhepi.

“Nuk jemi në ideologji të njëjtë, me thënë sinqerisht, LDK nuk bazohet në partitë tjera, si pozitë ashtu edhe opozitë. Do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me LVV-në për të rrëzuar qeverinë mirëpo me programin tonë”, ka thënë më tej ajo.

Burimi: http://kosova.info/

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.