Korçë/ Investimet në ujësjellësit ruralë, zgjidhet problemi i ujit të pijshëm për disa fshatra

në kategorine Shqipëri

TIRANË, 15 prill /MEDIAL/- Investimet që po zbatohen në rrjetin e ujësjellësve të rinj në fshatrat e Korçës: Shamoll, Malavec, Qatrom dhe Goskova do të sigurojnë më në fund furnizim me sasi të plotë të ujit të pijshëm për çdo abonent.
Programi i investimeve që po ndërmerr bashkia Korçë, për rehabilitimin e plotë dhe me standarde të rrjetit të ujësjellësit në zonat rurale parashikon, financimin e rreth 310 milionë lekë, në ujësjellësin Shamoll e Malavec.
Rreth 226 milionë lekë investime në ujësjellësin e Goskovës dhe 70 milionë lekë në ujësjellësin e Qatromit.
Kryetari i bashkisë Korçë, Sotiraq Filo shprehet se, investimet do të shërbejë për ndërtimin e depove, linjave të transmetimit dhe rrjeteve shpërndarëse të ujit për këto fshatra. 
Bashkia e Korçës është një prej përfitueseve kryesore të projektit “SAVE – WATER” nga fondet IPA, zbatuar nga Këshilli i Qarkut Korçë.
Ndërkohë që programi për investimet në rrjetin e ujësjellësve në zonat rurale të vendit, është projektuar nga qeveria shqiptare me synim rehabilitimin/ndërtimin e skemave të furnizimit me ujë, që i shërbejnë fshatrave/grupfshatrave që kanë një numër të vogël banorësh të përhershëm dhe që prej vitesh ishin lënë në harresë dhe pa investimet e nevojshme në këtë fushë.

e.xh/e.caushi/
.

Burimi: http://ata.gov.al/

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.