Gazetari shkrun gazeta, më shumë rrena se të vërteta

në kategorine Opinione

Nga Besard Jacaj





“Gazetari shkrun gazeta, ma shumë rrena se të vërteta”, është bejtja që kam dëgjuar miliona herë që kur isha i vogël dhe pasionin tim për ketë dreq pune po e shprehja naivisht me krenari.

Dikush për të bërë humor (të zi sterr), dikush sepse kishte dëgjur dikë, dikush nga injoranca e dikush nga paragjykimi, po mundoheshin të më tregonin se po nisja zbathur një rrugë me gastare të thyera. Një rrugë ku do të gënjeja më detyrim (vitet e para), sepse pastaj rrena do të kthehej në diçka argëtuese. Me pak fjalë, ky ishte mendimi i një pjesë te popullit për pushtetin e katërt.

Çuditërisht, bejtja mu kujtua kur truproja i prokurores me korrespondencë, shtyu gazetarin me kohë të plotë për të mos e lejuar ta pyeste për milionat e dhuruar grabitësve (se vjedhje është qesharake të thuash, kur ndodh në vendin më të sigurt në vend). Po prapë çuditërisht, kjo është i vetmi rast kur nervozizmi dhe e qeshura më janë dukur njësoj. Fytyra e vrenjur e truprojës dhe të qeshurat naïve të “bejtexhinjve” më përcollën të njëjtin mesazh: Gazetar hesapi! A kemi faj ne për këtë?! – Po, sigurisht!

Ministri na thotë që ka reforma të jashtëzakonshmë më shëndetësi, dhe ne nuk e pyesim pse të atin e ka operuar në Gjermani.

Ministri na thotë që arsimi po lulëzon, ama ne nuk e pysim pse djalin po e shkollon në Oxford. Por të gjitha fajet tona, nuk e justifikojnë aspak kthimin e gazetarëve në një tabelë qitjeje. Pavaresisht mëkateve, gazëtarët janë kreditorë që rendin nëpër terren me këmbë te lagura e barkun “në dietë” per të përcjellë protestën, vrasjen, aksidentin, festivalin e koncertin.

Institucionet duhet të mbledhin mendjen (ato pak që kanë) dhe të krijojnë për ne një ndjenjë të përzier mes respektit e frikës! Qeveria dhe opozita (e vjetra dhe e reja bashkë) te hartojnë një ligj për mbrojten e gazetarëve, që shtyhen e nënçmohen në krye të detyrës. Dhe mbi të gjitha, populli ta shprehë talentin për bejte për ata që u paguan me taksa darkat 3 mijë euroshe, makinat luksoze e pushimet në Karaibe.

Burimi: http://www.gsh.al

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.