“Russiagate”, Robert Mueller mbyll hetimin

në kategorine Bota

Pas 22 muaj hetime, akuza ndaj 37 të pandehurve, 7 pranime faji dhe një dënim, zyra e hetuesit të posaçëm Robert Mueller ka mbyllur hetimet mbi ndërhyrjen e përfolur ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Përfundimet e hetimit nuk janë publikuar, por pritet që një pjesë e tyre të raportohen në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit amerikan.

Hetimi i prokurorit të posaçëm Robert Mueller mbi lidhjet e përfolura mes Rusisë dhe stafit elektoral të presidentit Donald Trump kanë prekur vijën e finishit. Raporti i zotit Mueller është dorëzuar të premten në Departamentin e Drejtësisë, ku prokurori i përgjithshëm Uilliam Berr do të vendosë se sa material do të ndajë me Kongresin.

Në një letër dërguar Dhomës së Përfaqësuesve, Berr tha se mund t’i raportojë përfundimet kryesore të hetimit brenda javës. Detaje të raportit të Myler nuk janë publikuar, por një burim nga Departamenti i Drejtësisë ka deklaruar për CNN se bëhet fjalë për një dosje gjithëpërfshirëse. Dokumenti synon të sqarojë vendimet proceduriale që hetuesi i posaçëm ka marrë në 22 muaj që nga caktimi i tij në krye të task forcës.

Vetë Trump dhe republikanët e kanë kritikuar vazhdimisht hetimin, duke e cilësuar një “gjueti shtrigash” dhe duke përsëritur se nuk ka pasur asnjë mpleksje me palën ruse. Duke reaguar, zëdhënësja e presidentit Trump, Sarah Sanders ka deklaruar se Shtëpia e Bardhë nuk i ka parë përfundimet e Mueller.

“Hapat e ardhshëm i takojnë prokurorit të përgjithshëm dhe ne presim që ai të bëjë lëvizjen e tij”, ka thënë Sanders.

Përfundimi i hetimit të koduar “Russiagate” shënon fundin e një prej kapitujve më dramatikë të presidencës së Donald Trump, që ka çuar mes të tjerash në një seri padish dhe disa pranime faji nga disa prej bashkëpunëtorët më të ngushtë të tij. Por nga ana tjetër, mbyllja e hetimeve hap një kapitull të ri mbi pasojat që do të kenë përfundimet sapo ato të bëhen publike./abcnews.al

Burimi: http://abcnews.al/

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.