Përçudnimi i artit, si “performancë”…

në kategorine Opinione

Arti shqiptar, në kuptimin e mirëfilltë, por edhe figurativ, nuk mund të përbënte përjashtim nga gjendja e përgjithshme e kësaj “shoqërie shqiptare”, që po ndërtojmë në këto 27 vite të tranzicionit.





Është fakt i pamohueshëm, që në këto vite, ky vend shumë pak (për të mos thënë aspak) prodhoi vepra artistike që mund t’i rezistojnë kohës. Dhe është kaq e vërtetë kjo, saqë kur rrallë e për mall, shteti kujtohet, apo ka nevojën për të realizuar koncerte të rangut shtetëror-koncerte qeveritare, siç quheshin dikur, detyrohet të kërkojë dhe të “gjejë”…

ATA, “TË VJETRIT”…

Nuk prodhoi gjë ky vend, flas në art, në kulturë e në folklor në këto 27 vite, një vepër, që të mbetet në buzët e njerëzve, siç ndodhte dikur.

Prandaj ndodh që kur na vijnë miq të rëndësishëm si nga NATO-ja, BE-ja apo nga diku tjetër (e kur duam të krenohemi), shteti mbledh ata që kanë mbetur gjallë, ata të Kalasë së famshme të Gjirokastrës, që patëm dikur. Por, edhe ata janë rralluar, e shumica e atyre që ende janë gjallë, janë në moshë tejet të thyer, e të pamundur për të “performuar” (na doli dhe ky term këto vite) në skenë.

Ata që bënë epopenë e artit shqiptar ndër vite, në atë kala të shenjtë, në shumicën e tyre, kanë ikur nga jeta.

Ne që jetojmë, jemi aq pak, saqë nuk kemi asnjë rol sot, përveç sedrës për atë çka u krijua me mund e me djersë, me shumë privacione, halle dhe probleme. Sedrës, por edhe shqetësimit që ato arritje të paktën të ruhen si gjëra të shenjta, e po të ish e mundur, pse jo, të shkojnë edhe më lart.

Sepse më parë se të jenë vlera kulturore të UNESKO-s, ato janë vlera shpirtërore të popullit tonë, vlera për të cilat kanë e do të kenë nevojë brezat. Sepse janë vlera që u ruajtën ndër shekuj, të cilat u hulumtuan, u gërmuan dhe u përpunuan, duke i ngritur në art, në mënyrën më cilësore të mundshme.

Arti i prodhuar në sheshin e shenjtë të asaj kalaje ishte mekanizmi që bindi botën e qytetëruar perëndimore, që polifoninë ta shpallë “Pasuri të Njerëzimit”, e cila ruhet nga UNESKO-ja.

Edhe kjo, e cenuar nga këta “tanët”, sepse e sakatuan duke e arkivuar në kërkesën përkatëse, me emrin “isopolifonia”…

Pra, me vulën e shtetit shqiptar të disa viteve më parë, më saktë me firmën e njëfarë ish-drejtoruci në Ministrinë e Kulturës, kërkesa shkoi me emrin e pasaktë – “isopolifonia”….

RREZIKU QË NA VJEN SË BRENDSHMI…

“Ne do bëjmë kujdes t`ju ruajmë nga rrezikët e jashtmë, por nga rrezikët e brëndshmë, nuk mundemi t`ju ruajmë dot”…

Këtë fjali e la të shkruar Mitat Frashëri, të cilën ia pat thënë një personalitet i politikës europiane, në vitet ‘20-të, kur Mitati përpiqej të siguronte aleatë mbështetës për shtetin shqiptar të sapolindur…

Për fat të keq, këtë ka vërtetuar historia jonë, të paktën ky shekulli i fundit, ku Shqipëria ekziston edhe si shtet. Aq sa e lanë, e ashtu siç e lanë.

Për fat të keq, nga kjo “ligjësi” kobzezë, në këto 30 vite të trazuara nuk ka shpëtuar as arti, më saktë ato çka u arritën në art, në një kohë tjetër.

Në luftën për teleshikueshmëri (audiencë e quajnë sot), disa kanale televizive tonat kanë ngritur e kanë stisur emisione humoristike, të cilat marrin përsipër “t’i ngrenë adrenalinën” popullit, jo rrallë, me qyfyre të rëndomta.

“E drejtë” e tyre do të thosha, ashtu siç është e drejta e teleshikuesve t’i ndjekin këto emisione, apo të ndërrojnë kanal, me pultin e komandimit.

Pavarësisht vërejtjeve që na bëjnë të huajt, të cilët merren me numërimet e teleshikuesve, sot e 60 vite…

Por në këto emisione “humoristike”, humori i të cilave lë shumë për të dëshiruar nëse përjashtojmë banalitete të rëndomta, jo rrallë është vënë në shenjë për t’u përçudnuar e përdhosur, vetë arti shqiptar.

Shkruesi i këtyre radhëve, nga të tjerë mësoi se në x emision ishte përçudnuar kënga “Janinës ç’i panë sytë”, por edhe kënga për këshilltarët e Hekalit…

Miq dhe dashamirës të shumtë të artit telefonuan e vazhdojnë të telefonojnë, duke akuzuar këto përpjekje qëllimkëqija për denigrimin, përçudnimin dhe diskreditimin e artit, të paktën të këtyre dy këngëve…

Ironia e hidhur e fatit qëndron në faktin se këto përçudnime realizohen “live”, para kamerës e nën siglën “Muza”. Po fjalën muzë (pa lere nocionin muzë, që nuk e njohin), pse e përqeshin dhe e tallin në atë farë feje?!

Për fjalën Muzë~A~AT, e meqë nuk mbaruam shkollë për Gjuhë-Letërsi, le t’i drejtohemi për konsultim Fjalorit të Shqipes së Sotme të vitit 1984, botim i Akademisë së Shkencave që patëm… “Muzë-a: Secila nga të nëntë hyjneshat, bijat e Zeusit, që përkrahnin degë të ndryshme të artit e të shkencës (sipas mitologjisë greke) psh. Muza e Historisë (e tragjedisë, e muzikës…)” – Fjalori, faqe 749.

Pra, në rastin tonë le të marrim atë “hyjneshën” e muzikës dmth., atë “hyjneshë” që përkrah muzikën.

Për çfarë përkrahjeje të muzikës mund të bëhet fjalë, kur persona që mund të kenë dhunti të veçanta në një drejtim të caktuar, psh. në aktrim, mund të tentojnë të realizojnë edhe “muzën”, e që përfundimisht përqeshin, përçudnojnë dhe përdhosin në kuptimin e plotë të fjalës, vepra të artit e të folklorit që u krijuan ndër vite e që u vlerësuan nga bota e qytetëruar?

Nëse bëhet fjalë për emision humori (që nuk ka përse të ketë humor të zi), atëherë mund të marrë këngë humoristike, të cilat nuk kanë munguar në të gjitha kohërat. Dhe le t’i “performojë” ato. Por jo të përdhosë tekste, këngë dhe interpretime brilante që lanë vulën e tyre ndër kohëra e që u këndojnë shekujve, për të qëndruar në shekuj.

Dy këngët e mësipërme, të cilat u masakruan dhe u përqeshën keqas në dy emisione me radhë janë këngë që u janë ngritur trimave të rrallë, në çaste kyç të historisë së popullit tonë.

A e dinë “performuesit” kokëboshë se për tre trimat që u vranë në betejën e “Nëntë Puseve” në Janinë është mbajtur zi kombëtare? Dhe është mbajtur zi e thellë, e cila shkoi në rrënjët e saj pagane; deri edhe zilet dhe këmborët e tufave të bagëtive u hoqën në shenjë zije. Po mirë kjo, se ndodhi “larg” në kohë-gati 120 vite më parë (se kujtesa jonë nuk arrin deri aty).

Po këshilltarët e Hekalit, të cilët u mbajtën lidhur nga nazistët dhe ballistët gjashtë ditë rresht edhe pa ujë, para 76 vitesh, çfarë borxhi u patën “performuesve”?! Për të shkatërruar pushtetin e popullit, u krijua në Fier Batalioni i Xhandarmarisë Civile, me komandant, majorin Besim Belishova. Në mbështetje të tij u radhitën çetat e Ballit, të Fierit, Lushnjës dhe Mallakastrës.

Gjashtë ditë i mbajtën nën tortura burrat sypatrembur e më 13 dhjetor 1943, i grinë plumbat e togës së pushkatimit. A i njohin këto gjëra “performuesit”?

Kësaj i thonë: – I zoti e shet, e tellalli s’e jep.

Para disa kohësh, “partneri” ynë ballkanik, Serbia, arriti të bëjë pronë të vetën “Ciklin e Kreshnikëve”! Aq sa është shkruesi i këtyre radhëve japonez, po aq edhe “Cikli i Kreshnikëve” është serb. Po si e arritën serbët këtë? Shumë thjeshtë, se segmente të shtetit tonë, por edhe atij të Kosovës, nuk patën nge të plotësojnë dokumentet për t’ia paraqitur botës si prodhim autentik shpirtëror i këtij kombi, sepse ishin zhytur në gjakun e tenderave dhe në grindjet me njëri-tjetrin. Kurse Serbia e ka shtetin më këmbë, me të gjitha institucionet dhe mekanizmat e tij, me diplomacinë në krye. Ajo nga hiçi stisi dosjen dhe bindi botën se kreshnikët ishin “serbë”. Pa nëse ata quheshin Mujë e Halil, këtë le ta hanë shqiptarët, në folklorin e tyre “majekrahu”. Bota shkruan dhe vulos, kurse ne çirremi gërxheve dhe shkëmbinjve dhe dëgjojmë vikamat e njëri-tjetrit.

Është njësoj sikur Greqia të merrte e të shpallte pronë të saj këngën labe e polifoninë, meqenëse disa fshatra të Janinës e të rrethinave të saj këndojnë labçe, thjesht për faktin se janë shqiptarë autoktonë në trojet e tyre mijëvjeçare. Por sot kuptohet, këndojnë në një gjuhë tjetër, në gjuhën e kishës e jo në gjuhën e të parëve të tyre, pra jo shqip.

Në inaugurimin e Sheshit “Skënderbej” erdhën edhe një grup profesorësh francezë, të cilët interpretuan këngën “Janinës ç’i panë sytë”. Ishte një nder i madh për vendin tonë në radhë të parë, për artin dhe kulturën tonë. Pse jo, edhe për ne që e interpretuam në Festivalin Kombëtar të Gjirokastrës, në vitin 1983. Francezët e shquar e interpretuan me dinjitet, një këngë që nuk ishte as në gjuhën e tyre, pa lere më e kombit të tyre. Madje, profesionalisht, ata bënë të pamundurën t’i afroheshin interpretimit të “gjashtë violinave”, siç u quajt grupi i Lapardhasë në atë festival, nga të gjitha personalitetet e shquara botërore që ndoqën festivalin.

Edhe pse të huaj, ata nuk e përqeshën këngën, nuk futën tallje dhe ironi “performance”, si këta, “artistët tanë”.

Shkruesi i këtyre radhëve nuk ka asnjë motiv personal apo profesional në trajtimin e kësaj çështjeje. Ai, si edhe disa të tjerë, është dekoruar me titullin “Mjeshtër i Madh” për ato që ka arritur në interpretimin e këngës. Dhe nuk gëzon, si shumë të tjerë, asnjë lloj mbështetjeje materiale, siç vetë ligji e parashikon. Po se mos përfituan pensionin e parakohshëm që ligji u jep, bardi i këngës Lefter Çipa, poeti i kultivuar e i talentuar, e njëri prej më të spikaturve, Muhamet Tartari, simaja e tyre Feti Brahimi, të pavdekshmit Gjokë Beci dhe Maliq Llila e shumë të tjerë?!

Në këtë kuptim, as kemi pritur e as presim. Por arritjet tona, që morën vulën e kohës e që u dhanë vulën kohërave nuk mund të lejojmë të përdhosen, e ca më keq, të përdhosen në emër të “të bërit art”…

Nazif Çela, “Mjeshtër i Madh”

 

Burimi: http://www.gsh.al

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.