Inspektorati sekuestron qindra kilogramë barna ilegale

në kategorine Kosovë

Inspektorati Farmaceutik i Ministrisë së Shëndetësisë, pas inspektimeve ad-hoc të kryera mbrëmjen e kaluar në tre subjekte farmaceutike private ka sekuestruar qindra kilogramë barna ilegale.

Pas marrjes së informatës nga Njësie Hetuese e Krimeve Ekonomike e Policisë së Kosovës, se në një subjekt (garazh) privat dyshohet se ka barna ilegale, IF ka organizuar tre ekipe inspektorësh dhe me asistencë të Policisë së Kosovës ka kryer inspektimet në vendet e dyshuara për mbajtje të barnave ilegale.

Gjatë inspektimit, inspektorët kanë gjetur qindra kilogramë barna ilegale të grupeve të ndryshme farmaceutike.

Po ashtu, janë gjetur barna pa banderola, por me hyrje të rregullta (leje për autorizim), si dhe barna me banderola të Serbisë, etj.

Të gjitha këto barna janë evidentuar dhe konfiskuar nga Inspektorati Farmaceutik dhe me to do të procedohet sipas legjislacionit në fuqi.

Inspektorati Farmaceutik mbetet i përkushtuar në përmbushjen e përgjegjësive të tij, me qëllim që në tregun farmaceutik të Kosovës të qarkullojnë produkte të sigurta për përdorim të tyre.

Burimi: https://infokosova.org/

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.