Dështoi takimi i partive për Prokurorinë Speciale

në kategorine Maqedoni

Dështoi edhe një përpjekje e grupeve të punës të partive politike për të gjetur zgjidhje për të ardhmen e Prokurorisë Speciale. Pushteti thotë se opozita nuk dorëzoi materialet në formatin që kërkojnë ata, por dorëzuan materiale të bazuara në dispozita të legjislativës ndërkombëtare të cilat tashmë janë inkorporuar në propozim/ligje.

I qartë ishte qëllimi dhe mos-pasja e dëshirës te VMRO-DPMNE-ja që në këtë moment, në mënyrë aktive të marrë pjesë në sjelljen e këtij ligji dhe të propozojë zgjidhje konkrete por me siguri pret të bëjmë debate pafundësisht të gjata rreth principeve të caktuara të këtij ligji. Në momentin kur VMRO-DPMNE-ja do të dorëzojë amendamente konkrete për përmriësimin e tekstit do të caktoj takim në të cilin do të ulemi dhe të deklarohemi rreth atyre amendamenteve”-tha Renata Deskoska, ministre e Drejtësisë.  

Në të dy takimet e deritanishme nuk ka pasur asnjë propozim konkret të ndonjë amendamenti për propozimin e ligjit për Prokurori Publike por ka pasur debat në aspekt të parimeve se si ata e shohin të organizuar Prokurorinë Publike dhe jo në normat konkrete të cilat i përmban ligji”- pohoi Artan Grubi, BDI.

Por nga opozita thonë se Ministria e Drejtësisë refuzon të pranojë kërkesat e tyre. VMRO-DPMNE-ja njofton se nuk do të mbështesë ligj në përpilimin e të cilit nuk ka marrë pjesë.

Një propozim/ligj kaq i rëndësishëm për të cilin Qeveria pretendon se është kyç për marrjen ose mosmarrjen e datës për negociata me BE-në, po ajo Qeveri nuk e pa të arsyeshme ta përshpejtojë procesin dhe të njëjtin propozim/ligj ta përgatisë në dhjetor të vitit të kaluar dhe të japë më shumë kohë për bisedime dhe vërejtje”-theksoi Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE.

Propozim/ligji për Prokurorinë Publikë duhet të votohet me 2/3 e votave. Edhe në rast se nuk arrihet marrëveshje me VMRO-DPMNE-në, nga pushteti thonë se do të vazhdojnë bisedimet me grupet tjera parlamentare për të siguruar shumicën prej 80 deputetësh. Opozita kërkon të përfundohen lëndët e PSP-së të dorëzuara në gjykatë deri në qershor të vitit 2017 dhe PSP-ja siç është tani të pushojë së ekzistuari, të formohet komision hetimor për punën e deritanishme të ekipit të Janeves, të formohet PSP e re në kuadër të Prokurorisë për krim të organizuar por me kompetenca të zgjeruara, të formohet ekip i ri si dhe të zgjidhet prokuror publik me propozim të opozitës. Pozita në propozim/ligj parashikon kryeprokurori special të mos ndryshohet. PSP-ja të jetë njësi e veçantë në prokurorinë e rregullt për të ndjekur krimin e organizuar dhe korrupsionin e nivelit të lartë, materialet e përgjuara për lëndët e proceduara ose në fazë parahetimore të shfrytëzohen si dëshmi deri në shtator të viti 2020.

/Alsat-M/

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.