Një “Ditë Vere” shqiptare, edhe në Zvicër

në kategorine Diaspora

Festa u përshkua nga emocionet që na dhuruan tingujt e muzikës së mirëfilltë shqiptare, të kënduar nga zërat e ëmbël të këngëtareve të njohura Enkeleda Bashaj dhe Gentiana Tafili

E Hënë, 18 Mars 2019 – 9:30
albinfo.ch

Më 17 mars, Shoqata për Kulturë dhe Integrim “Swiss Albania Event” organizoi një drekë argëtuese plot surpriza për të gjithë, në restorantin “Jetset” në Kloten të Zürichut. Dreka dhe evenimenti i kushtohej festës së njohur tradicionale shqiptare “Dita e Verës”, që shënohet me aktivitete të ndryshme, gjithandej në Shqipëri.

Dreka ishte e shoqëruar me shije shqiptare, antipasta, ëmbëlsira por dhe disa nga shijet e verës “Kosova Wine”.

Ajo u përshkua nga emocionet që na dhuruan tingujt e muzikës së mirëfilltë, të kënduar nga zërat e ëmbël të këngëtareve të njohura Enkeleda Bashaj dhe Gentiana Tafili.

Një muzikë të interpretuar me një nivel të lartë artistik, na e dhuruan tre instrumentistët e njohur shkodranë: Rafael Lici, Artur Lici dhe Ahmet Ujkashi.

Edhe fëmijët u argëtuan në këtë festë të bukur, duke krijuar, sipas riteve të njohura të festës nga Shqipëria, “Veroret” e tyre, të cilat pastaj ua shpërndanë të pranishmëve.

Festa u zhvillua në një ambient mjaft argëtues, duke kërcyer e kënduar të gjithë së bashku ndërsa surpriza ngeli për në fund.

SAE ka marrë një nismë të vlerësojë dhe bashkëpunojë me të gjitha subjektet e artit, kulturës dhe integrimit si dhe promovimit të kulturës shqiptare, duke ndarë dhe vlerësuar një certifikatë mirënjohjeje për ata njerëz që kanë kontribuuar në diasporë.

Sigurisht, certifikatat e para ishin për ata njerëz që kanë stimuluar dhe kontribuuar në hedhjen e hapave të parë të shoqatës. Por ngelen akoma shumë të tjera, në aktivitetet në vazhdim për t`iu shprehur mirënjohjen secilit prej kontribuesve.

Mesazhi i fundit i evenimentit ishte një thirrje për të gjithë, pa përjashtim, shoqata dhe individë, që të organizohemi e të realizojmë aktivitete cilësore në bashkëveprim me miqtë dhe vendin ku jetojmë, zvieranët dhe Zvicrën.

Burimi: https://www.albinfo.ch/

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.