Lajmet e rreme sfidë për gazetarinë dhe për qytetarët

në kategorine Maqedoni

Shkup, 16 mars 2019 (MEDIAL) – Lajmet e rreme si fenomen global në korniza botërore muajve të fundit janë të pranishme në mënyrë të theksuar edhe në eterin tonë mediatik, ndërsa më së shumti mund t’i gjesh në internet-portalet, prej ku më pas përhapen me shpejtësi të madhe nëpër rrjetet sociale. Ka shumë mënyra për të dalluar lajmin e rrejshëm. Është me rëndësi të veçantë fakti që qytetarët të kenë shkathtësi për t’i dalluar, meqë ata janë më së shumti të ekspozuar ndaj lajmeve të rrejshme. Për të dalluar nëse bëhet fjalë për lajm të rrejshëm së pari duhet të shihet nëse artikulli, tregimi, tema që përpunohet i përmban të gjitha burimet e informacionit, nëse është dhënë konteksti i ngjarjes. Problemi me lajmet e rrejshme është diçka me çka përballemi vazhdimisht, për shkak të interesave ekonomike dhe politike të dikujt. Qytetarët jo rrallë i përmendin partitë politike për krijimin dhe publikimin e lajmeve të rrejshme, ndërsa këto akuzojnë njëra-tjetrën. Ato mund të ndikojnë shumë në formimin e mendimit publik për disa çështje të caktuara politike, veçanërisht gjatë periudhës së zgjedhjeve. Duke marrë parasysh faktin se në Maqedoni do të ketë zgjedhje presidenciale, MEDIAL në këtë temë bisedoi me disa bashkëbisedues.

– Është e vërtetë se lajmet e rrejshme janë më të pranishme në internet. Në 76,5 për qind të ankesave të pranuara në KEMM-in kanë të bëjnë me internet-portalet. Informacion që tregon mjaft se ajo që po ndodh në hapësirën onlajn di të jetë me të vërtetë problematike. Mirëpo, nëse këtë e ndërlidhim me faktin se më të shumta janë ato media, ndoshta është, të themi kushtimisht, situatë e pritur se mediat onlajn do të shkelin më shpesh kodeksin. Por, gjithashtu, kemi edhe, të them ashtu, diletantë në këtë profesion që aktrojnë gazetarinë, të cilët tentojnë të shfrytëzojnë ose keqpërdorin median që e kanë në dispozicion për të punuar për agjendën e dikujt, për interesin e dikujt, thekson Marina Tuneva, drejtore ekzekutive e Këshillit të Etikës në Mediat në Maqedoni (KEMM).

Sipas saj, në përballjen me lajmet e rrejshme, e veçanërisht në periudhën parazgjedhore, krahas mediave profesionale, kyçe është para së gjithash që në mënyrë aktive, konsistente dhe sistematike të punohet me qytetarët, veçanërisht duke ndihmuar popullatën më të re që të dijë t’i dallojë matricat dhe mënyrat në të cilat keqpërdoren mediat, për të plasuar të pavërteta, propagandë dhe dezinformata, e me qëllim që të mos u nënshtrohen dhe të mos jenë të ekspozuara ndaj pasojave nga informimi i tillë i pavërtetë.

Për parandalimin e lajmeve të rrejshme, konsideron, është me rëndësi të veçantë që mediat profesionale të mund t’i pengojnë tentimet e të a.q. media propaganduese dhe të atyre që tentojnë të plasojnë informacione që janë të pavërteta, të njëanshme, joobjektive… Ende, thekson ajo, nuk ekziston përgjigje përfundimtare se kush i prodhon lajmet e rrejshme.

– Unë do të kisha thënë se ekzistojnë më shumë përgjigje në kuptim të asaj se lajmet e tilla mund të rezultojnë së pari prej atyre që “luftojnë pa kompromis” për të fituar vëmendje sa më të madhe në eterin mediatik në kuptim të përfitimit ekonomik nga ajo, gjenerimin e klikimeve, përfitimit, por edhe të atyre që punojnë për agjendën e dikujt ose janë të lidhur me disa qendra të caktuara të fuqisë qofshin ata biznesmenë, politikanë, etj.

Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, Mlladen Çadikovski, në intervistën për MEDIAL-n shprehet se vetërregullimi mediatik dhe arsimimi mediatik janë instrumentet në luftën kundër dezinformatave të njohura si lajme të rrejshme. Propagandës dhe senzacionalizmit, porositë ai, t’i kundërvihemi me cilësi dhe gazetari profesionale.

Sipas tij, nevojitet profesionalizim i mediave, meqë kur do të kemi media dhe redaksi të standardizuara, atëherë vështirë se ato do t’u nënshtrohen lajmeve të rrejshme. Në oqeanin e informacioneve që sot ofrohen në treg, shton Çadikovski, duhet të fitojnë lajmet e mirëfillta, ndërsa shteti duhet të punojë në promovimin e arsimimit mediatik para qytetarëve. Kjo nuk mund të bëhet përmes ndonjë ligji special, por e tërë rregullativa ligjore duhet të jetë në drejtim të profesionalizimit dhe pavarësimit të mediave. Nuk kemi nevojë për masa paushale, por për strategji të mirë.

– Arsyet për këtë fenomen janë të ndryshme dhe mund të jenë për t’u krijuar panik i përgjithshëm te qytetarët, të shkaktohet dëm te oponentët politik përmes publikimit të pavërtetave. Sidoqoftë, dezinformatat në mediat kanë ekzistuar në të kaluarën, i kemi tani edhe atë edhe më shumë para së gjithash për shkak të ekspansionit të mediave të reja që janë në internet dhe do të ekzistojnë edhe në të ardhmen. Shtrohet pyetja si të parandalohen dhe si të pengohen? Mënyra më e mirë është përmes vetërregullimit mediatik ku opinioni do të mund të bëjë dallimin mes mediave profesionale që punojnë sipas normave etike dhe atyre që kanë ndërmend të keqpërdorin të drejtën e lirisë së shprehjes. Përveç kësaj, shërbimet publike kanë për obligim të demonstrojnë nivelin më të lartë të saktësisë së informacioneve që qytetarët kur do të kenë dyshim nëse ndonjë lajm është i rrejshëm ose jo, të njëjtin do të mund ta kontrollojnë përmes informimit profesional të shërbimeve publike nacionale dhe agjencive informative, shprehet Çadikovski.

Me afrimin e zgjedhjeve presidenciale, rritet edhe rreziku nga publikimi i lajmeve të rrejshme, që është trend në suaza botërore, siç ishte shembulli me të rinjtë e Velesit me fushatën për Trampin.

– Gjatë ekspansionit të informacioneve dhe dezinformatave përmes internet-mediave, e veçanërisht përmes rrjeteve sociale, është shumë vështirë të parandalohet dukuria e dezinformatave. Shtrohet pyetja se si të mbeten këto të izoluara dhe të mos u jepet rëndësi tepër e madhe, ndërsa ne jemi dëshmitarë se madje edhe një pjesë e mediave tradicionale i shfrytëzojnë rrjetet sociale si burim të informacioneve. Këtu është keqpërdorimi më i madh që rezulton me dyshimin se në Maqedoni ekziston një sistem i krijimit të lajmeve të këtilla me qëllim që të arrijnë edhe deri te opinioni më i gjerë përmes mediave tradicionale. Kjo është evidente për shembull në fushatën e referendumit ku përmes të ashtuquajturave bote anonime përhapeshin gënjeshtra dhe të pavërteta. Nuk përjashtohet mundësia që kjo dukuri të vazhdojë edhe tani, edhe gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale, po madje edhe përmes shfrytëzimit të platformave të regjistruara në shtetet fqinje ose të tjera me qëllim që të jepet kredibilitet i rrejshëm ndaj informacionit të rrejshëm, konsideron ai.

Drejtori i Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale (ASHMAA), Zoran Trajçevski, nga ana tjetër, shprehet se për t’u përballur me lajmet e rrejshme duhet vazhdimisht të zhvillohet vetëdije kritike, në kuptim të normave etike, integritetit personal, eupatisë dhe ndjenjës për raport korrekt, të qenët i vetëdijshëm për emocionet që na i shkakton ndonjë informacion dhe reagimin eventual ta masim me arsye, e jo me ndjenja, të informohemi për risitë në teknologjinë dhe shërbimet digjitale që të jemi zotërues të tyre, e jo anasjelltas.

Në prag të fushatës për zgjedhjet presidenciale ai porositi se çështja kyçe është që mediat në punën e përditshme të veprojnë sipas standardeve të gazetarisë. Lajmet e rrejshme u bënë

përditshmëri me pasoja të mëdha për gjithë shoqërinë. Prandaj, konsideron, nevojitet përkushtim për rritjen e arsimimit mediatik, si “mekanizëm mbrojtës” të qytetarëve për lajmet e rrejshme.

Nga hulumtimi i nivelit të arsimimit mediatik te popullata e moshuar në vend, i zbatuar nga Agjencia në vitin 2016, mund të shihet se rreth dy të tretat e qytetarëve kanë qenë të vetëdijshëm se mediat e ndryshme informojnë ndryshëm për ngjarje të njëjta dhe zakonisht kanë bërë kontrolle të informacioneve duke përdorur burime të ndryshme, me ç’rast rreth 75 për qind nuk i kanë pranuar informacionet vetëm nga një burim. Kjo mund të konsiderohet si një lloj treguesi edhe për atë se sa janë qytetarët të vetëdijshëm se mund të jenë të gënjyer ose manipuluar.

Në prag të zgjedhjeve presidenciale, nga KSHZ-ja shprehen se institucioni nuk ka kapacitet për t’i ndjekur prodhimin dhe publikimin e lajmeve të rrejshme që kanë të bëjnë me këtë temë, por shprehen se do të tentojnë të luftojnë këtë fenomen me informacion të përditësuar dhe të saktë.

– Do të luftojmë me transparencë në punën tonë deri në kufirin e mundshëm maksimal, shprehen nga KZHZ-ja.

Partitë politike në opinion jo rrallë përjetohen si kreatorë të lajmeve të rrejshme, ndërsa një pjesë e anëtarëve të tyre edhe si persona që i përhapin në rrjetet sociale. Ato, nga ana tjetër, akuzojnë njëra-tjetrën për krijimin, publikimin dhe përhapjen e lajmeve të rrejshme.

Sipas zëdhënësit të VMRO-DPMNE-së, Naum Stoillkovski, producent kryesor i lajmeve të rrejshme në Maqedoni në këtë moment është Qeveria e LSDM-së. Nën petkun e “lajmeve të rrejshme”, nënvizon, ky pushtet i dhunshëm fshehë instrumentin e censurës. Më parë, thekson Stoillkovski, gazetaria luftonte me ndjenjën e censurës, ndërsa tani “zaevizmi” e ka sendërtuar me imponimin e ndjenjës për vetamnistim.

– Në fakt, nën petkun e “lajmeve të rrejshme” ky pushtet i dhunshëm fshehë instrumentin e censurës. Mirëmban portale, media të tëra që nuk janë të rregulluara dhe i shfrytëzon si armë nga e cila “shtie” fushatë të errët të rrejshme ndaj opozitës, Hristijan Mickoskit, por edhe ndaj secilit që nuk i nënshtrohet, thekson Stoillkovski.

Kolegu i tij, zëdhënësi i LSDM-së në pushtet, Kostadin Kostadinov, në lajmet e rrejshme që janë të pranishme në eterin mediatik te ne detekton prapavijë politike dhe me këtë rast drejtpërdrejt e përmendë partinë opozitare VMRO-DPMNE, derisa për LSDM-në thotë, në asnjë moment nuk mund të ndërlidhet me publikimin e lajmeve të rrejshme.

– Në mungesë të ideve dhe propozimeve në interes të qytetarëve dhe shtetit, në mungesë të agjendës politike, VMRO-DPMNE-ja veprimin e saj në opinion e mbështetë në të pavërteta, gënjeshtra dhe lajme të rrejshme së bashku me disa internet-portale të caktuara të afarta me opozitën. Instrumenti më i fuqishëm kundër lajmeve të rrejshme është e vërteta dhe mënyra se si ai informacion i vërtetë të mbërrijë sa më shpejtë deri te qytetarët, shprehet Kostadivno dhe bën të ditur se qytetarët meritojnë informacione të vërteta, relevante dhe të përditësuara.

Sllavica Stefanovska