Bashkësia Islame Shqiptare në Zvicër dënon sulmin në Zelandën e Re

në kategorine Diaspora

E Shtunë, 16 Mars 2019 – 21:00
albinfo.ch

Bashkësia Islame Shqiptare në Zvicër dënon ashpër sulmin terrorist të ndodhur në qytetin Christchurch të Zelandës së Re, ku si pasojë e një sulmi terrorist humbën jetën mbi 50  besimtarë myslimanë që po kryenin faljen e xhumasë, dhe rreth 50 të lënduar duke marrur mjekimin në spital.

Ne dënojmë me ashpërsinë më të madhe këtë akt barbar ndaj besimtarëve myslimanë të pafajshëm,duke shprehur bindjen se terrori nuk ka fe e atdhe dhe me ligësinë e tij ai godet pabesisht.

Në këto momente dhimbjeje dhe trishtimi shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjarët e viktimave.

Kjo masakër dhe ky akt është një nëpërkëmbje arrogante ndaj çdo vlere njerëzore dhe një sulm i ulët e i dënueshëm nga çdo normë morale, fetare e universale.

Terrori nuk mund të jetë kurrë pjesë e ndonjë arritjeje apo shpëtimi, terrori nuk prodhon veçse kaos e ligësi. Ai merr jetë njerëzish të pafajshëm dhe është një goditje kundër vlerave demokratike universale.

Bashkësia Islame Shqiptare në Zvicër i shpreh edhe një herë ngushëllimet familjarëve të viktimave dhe mbarë popullit të Zelandës së Re, si dhe i uron shërim sa më të shpejtë të lënduarve.

Burimi: https://www.albinfo.ch/

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.