Protesta e opozitës, Duka: PAA në krah të atyre që kërkojnë ndryshimin

në kategorine Shqipëri

Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka ka njoftuar se forca që ai drejton do të jetë në krah të opozitës në protestën e të shtunës.

 

Në një postim në “Facebook”, Duka shprehet se protesta e të shtunës nuk ka si qëllim rrëzimin e një qeverie por dhënien fund ndryshimeve kushtetuese të 2008 që kanë fuqizuar pushtetin aktual.

 

Sipas Dukës, zotimi i opozitës për të zhbërë këtë sistem është e vetmja garanci që orët e zeza të shoqërisë shqiptare të marrin fund.

 

“Më pak se 24 orë na ndajnë nga protesta e të shtunës, ku edhe një herë bulevardi do të mbushet me qindra e mijëra shqiptarë. Edhe një herë, ne si PAA do të jemi në krah të gjithë atyre që kërkojnë ndryshim. Largimi i opozitës nga Parlamenti i ka dhënë krizës politike përmasa të tilla, që mund ta çojnë vendin në dy drejtime krejt të kundërta dhe vetëm një hipokrit i pamend do ta mohonte realitetin e errët të këtij çasti. Drejtimi i parë është ai i rrezikut që pushteti aktual të bëhet edhe më total, duke kontrolluar të gjitha fushat e jetës politike, edhe ato pak hapësira që kishte në dorë opozita. Drejtimi i dytë është ai i rimëkëmbjes së jetës normale të vendit, nëpërmjet një aleance të sinqertë të të majtëve, të djathtëve dhe të gjithë atyre që janë zhgënjyer nga ky sistem i padrejtë përfaqësimi. Një drejtim në të cilin nuk bashkohemi për të ndryshuar një qeveri, por për t’i dhënë fund pushtetit që gëzon jo vetëm falë kriminalizimit të politikës, por edhe si pasojë e ndryshimeve kushtetuese të 2008-ës. Zotimi i shumëpritur i opozitës për të zhbërë këtë sistem të përçudnuar është sot garancia e vetme që orët e zeza të shoqërisë sonë të marrin fund.”

 

Burimi: https://www.vizionplus.tv/

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.