Erdoğan: Armiqësia kundër Islamit ka arritur në përmasa të masakrave masive

në kategorine Bota

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, pas sulmit terrorist ndaj dy xhamive në Zelandën e Re, tha se antiislamizmi në botë ka kaluar në dimensionin e masakrave masive ndaj muslimanëve, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjatë një ceremonie në Stamboll, Erdoğan dënoi sërish sulmin terrorist, duke thënë se ai është një akt i planifikuar dhe nuk mund të quhet “veprim impulsiv”.

“Armiqësia kundër Islamit, rritja e së cilës shikohet nga bota dhe madje inkurajohet, ka kaluar vijën e ngacmimeve individuale dhe arritur në dimensionin e masakërs masive”, theksoi presidenti i Turqisë.

“I bëjmë thirrje botës, veçanërisht vendeve të Perëndimit, të marrin masa të shpejta kundër kësaj ecurie të rrezikshme që kërcënon tërë njerëzimin”, tha Erdoğan.

“Qasja që përfaqëson vrasësi, i cili ka vendosur në shënjestër vendin tonë dhe personalitetin tim, është e qartë se ka filluar të marrë nën kontroll me shpejtësi si një kancer shoqëritë perëndimore”, vlerësoi më tej presidenti Erdoğan.

Ndryshe, të paktën 49 persona u konfirmuan të vrarë pasi sulmues të armatosur shënjestruan dy xhami në qytetin Christchurch, njoftoi policia e Zelandës së Re.

Katër persona, përfshirë një grua, u arrestuan pas vrasjes.

Sipas regjistrimit të fundit në vitin 2013, në Zelandë të Re, vend me afër pesë milionë banorë, jetojnë rreth 46 mijë muslimanë, apo rreth 1 për qind e popullsisë.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.

Burimi: https://www.aa.com.tr/sq/

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.