Greta Thunberg dhe rinia për klimën

në kategorine Opinione

Është fjala për gjimnazisten 16-vjeçare suedeze, Greta Thunberg, e cila ka mbi një vit që është shfaqur si superylli i lëvizjes së re për klimën që po merr formë në Evropë, SHBA, Australi dhe gjetkë. Gjithçka filloi gushtin e kaluar, kur pas zjarreve shkatërrimtare në Suedi, ajo filloi të dilte çdo ditë në krye të qindra e mijëra shoqeve dhe shokëve në protestat përpara godinës së Parlamentit suedez, duke kërkuar me zë të lartë masa urgjente për klimën, sipas sloganit “O tani, o kurrë”! Pas zgjedhjeve të shtatorit të kaluar, këto grumbullime në Stokholm dhe gjetkë zhvillohen çdo të “Premte të klimës”.





Vajza e vetme e një aktori dhe sopranoje, Thunberg u bë e famshme me fjalimin e saj plot pathos dhjetorin e kaluar në Konferencën e OKB-së mbi Klimën në Katovicë, ku denoncoi dështimin dhe paaftësinë e elitave qeveritare.

Më 23 janar ajo foli dhe në Forumin Botëror të Davosit, ku lëshoi sërish akuza ndaj elitave të biznesit për gjendjen e krijuar dhe lëshoi kushtrimin për veprim energjik. Madje, ajo theksoi që “nëse ai e bën të pamundur këtë mision, le ta ndryshojmë edhe vetë sistemin”.

Por “Malalën e klimës”, siç e quajnë, nuk e kanë bërë të famshme vetëm oratoria dhe fjalët e bukura. Greta bashkë me familjen jep shembullin e para në jetën ekologjike dhe të gjelbër që bën. Kështu, ajo shkoi në Davos me tren në një udhëtim që zgjati 32 orë në shenjë proteste ndaj 1500 Jet-eve private të elitave qeveritare biznesit! Ajo i ka kufizuar në minimum edhe fluturimet me avion të prindërve vetë jashtë Evropës. Kudo ku shkon, fle në çadra dhe thjeshtë, shpenzon pak dritë, konsumon ushqime me fare pak mish dhe proteina, që nuk dëmtojnë mjedisin etj.. Dhe sërish thotë se kjo është vetëm fillimi dhe shumë pak përballë një gjendjeje katastrofike të ngrohjes së klimës.

Veç disa medaljeve dhe çmimeve prestigjioze, dhjetorin e kaluar revista “Times” e renditi Greta Thunberg ndër 25 të rejat më me ndikim në botë. Kësisoj, ajo u bë shumë shpejt pikë referimi dhe burim frymëzimi dhe nxitjeje për rininë jo vetëm në Suedi, por edhe në shumë vende të tjera. Këtu po ndalemi në shembullin e spikatur të Gjermanisë dhe të Belgjikës, ku lëvizja për klimën është përshkallëzuar ndjeshëm.

Në shtetin me 12 milionë banorë të Bavarisë, në zgjedhjet e zhvilluara shtatorin e kaluar, Të Gjelbërit me lideren e re karizmatike 33-vjeçare Catharina Schulz dolën për herë të parë forca e dytë më e madhe politike me 20 për qind, duke prishur për herë të parë supremacinë e kristian-demokratëve të CSU-së; kryesorja, aty dhe në Hessen ata i çuan nga fundi i “tabelës” ekstremistët e AfD-së me shumë pretendime në shtetin më të pasur gjerman. Dhe në nivel federal, të Gjelbërit renditen pothuajse të dytët. Nën shembullin suedez, në disa qytete gjermane po zhvillohen me pjesëmarrje në rritje “Të premtet e klimës” me demonstrime dhe protesta paqësore.

Dhe më e fuqishme është bërë lëvizja “Rinia për klimën” në Belgjikë, ku në krye të saj janë dy “Greta”. E para, në Rajonin e Flandrës, studentja 17- vjeçare Anuna De Wever që nga 10 janari udhëheq çdo të enjte protestat e nxënësve/studentëve në atë rajon. Ndërsa në jug, në Valoni lidere është 20-vjeçarja, Adelaide Charlier.

14 shkurti do të jetë e enjtja e gjashtë radhazi dhe më e madhja për klimën në Bruksel dhe në çdo qytet tjetër belg. Këtë të enjte ajo fillon dhe në Holandë e me siguri në javët e ardhshme dhe gjetkë në Evropë.

Ajo që bie në sy krahas pranisë masive në këto manifestime është karakteri shumë paqësor, larg zhurmës, incidenteve dhe dhunës, krejt i ndryshëm nga ai i “jelekëverdhëve”, që janë zvenitur përpara entuziazmit dhe frymës vitale të rinisë shkollore e studentore. Është vërtet kënaqësi të shohësh në Bruksel dhe gjetkë mijëra të rinj e të reja me këngë, parulla dhe pankarta në duar tek marshojnë paqësisht nëpër sheshe e rrugë me thirrje entuziaste për qeverinë dhe biznesin. Këtë habi dhe simpati e shprehu dy javë më parë dhe vetë Drejtorja e Përgjithshme e Programit të OKB për Mjedisin Joyce Msyua teksa ndodhej në Bruksel. Këtë jehonë po e përcjellin dhe shumë personalitete të larta të artit dhe kulturës, si ylli hollivudian Leonardo Di Caprio, etj.

Lëvizja e re belge ka fituar menjëherë përkrahjen e gjerë politike publike dhe qeveritare, duke filluar nga Mbreti i Belgjikës. Tipar tjetër specifik është se atë po e mbështetin pothuajse të gjithë ekspertët e klimës e mjedisit dhe komuniteti akademik. Ditët e fundit, Aleancën “Rinia për klimën” e kanë mbështetur me një letër publike drejtuar Parlamentit, qeverisë dhe pushtetit lokal 3500 kërkues, profesorë dhe akademikë belgë.

Për rrjedhojë, edhe forcat politike, qeveria dhe Parlamenti belg po veprojnë me shpejtësi në mbështetje të gjithanshme të kësaj lëvizjeje, pa pritur shtimin e numrit të pjesëmarrësve dhe acarimin e saj; sepse e rëndësishme këtu nuk është numri, por përmbajtja e mesazheve që po jep rinia shkollore belge. Kështu, më 27 shkurt Ministria e Arsimit, veç lehtësive që ka krijuar për praninë masive në këto protesta dhe duke bërë përshtatjet e duhura për vijimin e procesit mësimor do të organizojë takime me përfaqësitë studentore dhe grupe ekspertësh të caktuar nga qeveria për të konkretizuar kërkesat e rinisë për klimën. Sapo kanë filluar dhe debatet në parlamentet lokale me drejtueset e lëvizjes “Rinia për klimën”.

Ndërkohë, Partia e të Gjelbërve në bashkëpunim me profesorë dhe akademikë të disa universiteteve ka hartuar një projektligj special mbi klimën, i cili po diskutohet me urgjencë në Parlamentin federal belg. Veç të tjerash ky ligj parashikon që deri në vitin 2030 të reduktohen 65 për qind e gazrave karbonikë, dy herë më shumë dhe 10 vjet më shpejt se parashikimi fillestar.

Dukuria tjetër dalluese e protestave masive “Rinia për klimën” është se nuk bëhet më fjalë thjesht dhe vetëm për masa, reforma apo arnime, ca më pak kozmetike, por për ndryshimin e gjithë sistemit të ligjeve/rregullave, mënyrës së jetesës, zakoneve të të ushqyerit dhe modeleve të konsumit, veshjet, argëtimi, mjedisi, transporti, praktikat komerciale, etj. Se sa serioze është gjendja mjafton të citojmë të dhënat zyrtare sipas të cilave prodhimi i artikujve ushqimore në botë zë 40 për qind të tokës dhe konsumon 70 për qind të ujit!

Ndaj, tani në Belgjikë po përmendet gjithnjë e më shpesh për fillimin e epokës së re të “tranzicionit ekologjik”, si prelud i një shoqërie të re të gjelbër që deri në fund të këtij shekulli të shmangë detyrimisht ngrohjen globale mbi kufirin 1,5-2 gradë.

Natyrisht, siç pohojnë shumë ekspertë, kjo nuk është aq e lehtë sa duket. Krijimi i këtij sistemi të ri eko-shoqëror kërkon shumë kosto dhe sakrifica për shoqëritë shumëkombëshe, komunitetin e biznesit, sistemin arsimor, edukativ, atë financiar, të infrastrukturës dhe për vetë politikën; ajo do të hapë fronte të mëdha për të gjitha qeveritë dhe shoqërinë civile. Ndaj, rezistenca ka filluar qysh tani sidomos në veriun belg. Ditët e fundit dha dorëheqjen ministrja e Mjedisit e Rajonit të Flandrës, Joke Schauvliege e konsideruar “lokomotivë zgjedhore” e Partisë së moderuar CD&V. Kjo për shkak të skandalit që krijoi duke e konsideruar “komplot” “Lëvizjen për Klimën” e duke mashtruar se këtë ia kishte konfirmuar dhe Autoriteti Federal i Sigurisë Shtetërore! Ndërsa, disa ditë më parë, lideri i asaj partie deklaroi se pas Anuna de Wever është organizata “Green Peace” që kjo e fundit dhe aktivistja e shquar flamande e hodhën kategorikisht poshtë.

Kjo lëvizje e re në prag të zgjedhjeve evropiane është lajm i keq, u prish humorin dhe u rrëmben votat forcave populiste dhe ekstremiste. Axhenda e re e klimës nuk mund të “përtypet” e ca më pak të “gëlltitet” prej tyre, sepse “tranzicioni dhe shoqëria e re ekologjike” bën të domosdoshëm bashkëpunimin shumëpalësh, duke evidentuar dhe më dukshëm rolin e OKB-së, Bankës Botërore, BE-së, Traktatin Botëror të Klimës etj., që ata i kanë “halë në sy”. Ata nuk duan ta kuptojnë se asnjë shtet apo grup shtetesh të vetme, sado të fuqishme, nuk mund të përballojnë dhe t’u japin përgjigje sfidave serioze dhe planetare të klimës dhe ngrohjes globale.

Gjithashtu, filozofia dhe veprimi për klimën bien në kundërshtim me mentalitetin e tyre. Populistët dhe euroskeptikët dinë dhe duan vetëm të mohojnë, por jo të pohojnë, të flasin, por jo të veprojnë, sidomos për zgjidhje tërësore afatgjata.

Nga ana tjetër, këto aleanca dhe zhvillime të reja të favorshme janë “ushqim për mendim dhe veprim” për BE-në, për të përshpejtuar dhe intensifikuar nismat për një “ Kontratë të Re të Gjelbër” (New Green Deal) që ajo të bëhet nismëtare e shoqërisë së re të gjelbër. Veçse jo sipas avazit të vjetër, vetëm me projekte, reforma, shkurtime dhe shtrëngime, por duke e shoqëruar procesin me masa lehtësuese dhe favorizime financiare për masat e gjera të popullsisë, që ato t’ia ndiejnë lezetin dhe t’i thonë me plot gojën “Po” tranzicionit ekologjik.

Shembull nxitës dhe motivues në këtë fushë po jep me aktivitetin e saj të gjallë këtë fushë në SHBA senatorja më e re demokrate, 29-vjeçarja Alexandria Ocasio – Cortez, që ka propozuar “Kontratën e re të Gjelbër” (New Green Deal) me 5 qëllime, 14 projekte dhe 25 kërkesa madhore që përfshijnë të gjitha fushat. Gjithsesi, aty theksi vihet te njerëzit, hallet e tyre, punësimi, pagat, niveli i sigurimit e pastaj te teknologjia. Kjo “Kontratë e re e Gjelbër” kërkon drejtësi mjedisore, energji të pastër dhe jo të rinovueshme, tatime me 70 për qind mbi të ardhurat mbi 10 milionë dollarë amerikanë, një shtet social etj.

Vetëkuptohet se kur për ekologjinë dhe mjedisin po shqetësohen seriozisht vende të tilla të përparuara si Suedia, Gjermania, Belgjika etj. në Shqipëri problemet janë shumë më të mprehta dhe se interesi/intensiteti i veprimit tonë as që mund të krahasohet me ato vende. Veç kësaj, klasa jonë politike është e zënë me probleme të vjetra që ka dështuar t’i zgjidhë në tri dekada, madje duke u shtuar dhe kriza të tjera që ka krijuar, me dashje ose pa dashje. Për pasojë, rrezikohemi të mbetemi të fundit dhe në këtë aspekt madhor që ka të bëjë me brezat tonë të ardhshëm dhe jo me ideologji të caktuara. Sepse klima dhe mjedisi nuk janë as të majtë dhe as të djathtë, por vërtet gjithëpërfshirëse. Krejt ndryshe nga fushatat zgjedhore dhe lëvizje të tjera madhore, siç shprehen yjet e lëvizjes së re rinore, me klimën dhe mjedisin fitojmë ose humbasim të gjithë dhe përgjithmonë.

 

 

Burimi: http://www.gsh.al

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.