Amerikë, na fal për kokëfortësinë

në kategorine Opinione

Kosova as nuk e ka filluar ekzistencën e saj dhe as nuk do ta përfundojë me asnjërin nga udhëheqësit e saj, ashtu siç nuk e ka filluar dhe as nuk do ta përfundojë as me kryeministrin RamushHaradinaj.

Një ndër ngjarjet që e përbëjnë historinë e lavdishme dhe madhështore të Kosovës është edhe partneriteti me Shtetet  e Bashkuara të Amerikës, që u krijua shumë kohë më parë atëherë kur politikanë  të caktuar as ëndërr nuk e kishin parë që një ditë do të jenë në krye të ekzekutivit.

Një lider i pjekur politikisht nuk do të duhej lejonte që një taksë kundër Serbisë t’i dëmtoj marrëdhëniet me Amerikën, shtetin më mik të shqiptarëve, përveç tjerash ne ende nuk po e kuptojmë çfarë fituam nga taksa përveç pjesës emocionale që përkohësisht na ka bërë të ndihemi mirë se jemi duke i shkaktuar probleme Serbisë.

Qeverisja e Ramush Haradinajt i ngjanë një qeverisje tradicionale, por kokëfortësia ndaj SHBA-ve po e paraqet si një qeverisje rebele dhe kokëfortë. Për ta thjeshtësuar shpjegimin, në aspektin figurativ, ndër shqiptarë gjithmonë vëllai i madh dhe miku i mirë janë dëgjuar dhe ne, Amerikën, e kemi vëlla të madh e edhe mik të mirë që në shenjë mirënjohje ne duhet t’i dëgjojmë dhe t’i respektojmë këshillat e  tij.

Kokëfortësia e kryeministrit tonë, në lidhje me taksën, do t’i kushtoj Kosovës dhe rrezikon humbjen e një miku të madh. Ata që i njohin politikat ndërkombëtare, e sidomos politikën amerikane, e kanë të qartë rezultatin e kokëfortësisë që do të thotë ndëshkim për mosmirënjohësit. 

Do të doja që kryeministri Haradinaj të jetë po aq kokëfortë edhe ndaj krimit dhe korrupsionit, por në këtë mes duket se e ka humbur betejën.

Në të gjithë euforinë e taksës, një gjë është e sigurtë, që dyqanet, kiosqet, tezgat, marketet dhe supermarketet janë të stërmbushura me produkte të Serbisë dhe pikërisht këtu shtrohet pyetja: Nga po futen këto produkte edhe tre muaj pas taksës?

Taksa mund ta ketë bllokuar një rrugë normale për futjen e produkteve të Serbisë, por mund ta ketë hapur një rrugë jonormale që quhet kontrabandë.

Burimi: http://www.ekonomiaonline.com/