MVL: Janë konfirmuar qëllimet për hapjen e një vendkalimi kufitar me Greqinë në rajonin e Prespës

në kategorine Maqedoni

Shkup, 12 shkurt 2019 (MEDIAL) – Grupet teknike në nivel teknik prej Republikës së Maqedonisë dhe prej Republikës së Greqisë si edhe përfaqësues të delegacionit të Bashkimit Evropian, sot në Shkup mbajtën takim në të cilin u bisedua për aktivitetet përgatitore për hapjen e një vendkalimi të ri kufitar në vendin Këmba e Markos dhe në territorin e vendit të banuar Lemos në palën greke, në Rajonin e Prespës, informoi Ministria e Vetëqeverisjes Lokale.

Në takim është konfirmuar qëllimi i të dyja vendeve që realizimi i këtij projekti strategjik të fillojë sa më parë, në interes të banorëve të të dyja anëve të kufirit. Mjetet për ndërtimin e vendkalimit kufitar do të sigurohen prej programit IPA për bashkëpunim ndërkufitar midis Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë në vlerë prej katër milionë euro.

“Hapja e këtij vendkalimi kufitar do t’i përforcojë lidhjet midis të dyjave vendeve dhe do t’i lehtësojë komunikimin dhe lëvizjen e njerëzve dhe mallrave. Në frymën e vlerave evropiane, bashkëpunimi ndërkufitar nënkupton uljen e barrierave për bashkëpunim midis vendeve dhe njerëzve në rajon, për shkak të sigurimit të kushteve për zhvillim më dinamik. Bëhet fjalë për rajon ndërkufitar i cili stagnon në zhvillim. Jam i bindur se me iniciativë tonën dhe me mbështetjen e Bashkimit Evropian do të arrijmë të krijojmë kushte që ky potencial i organizuar të vihet në funksion të zhvillimit të rajonit dhe të qytetarëve të cilët jetojnë në të dyja anët e kufirit”, ka thënë në takim ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Suhejl Fazliu.

Ndërtimi i vendkalimit kufitar duhet të përfundojë deri në vitin 2023, ndërsa do të paraprijë edhe procedura administrative që përfshin edhe anëtarësimin e të gjitha institucioneve kompetente, ministrive të Punëve të Jashtme, të Punëve të Brendshme, të Transportit dhe Lidhjeve, për Mjedis Jetësor si dhe të Drejtorive Doganore.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme tashmë është duke u përgatitur dokumenti bazë i cili sipas rregullave IPA do të jetë trilateral midis Republikës së Maqedonisë, Republikës së Greqisë dhe Republikës së Shqipërisë.

Shqipëria është e përfshirë për atë që Bashkimi Evropian vlerëson se ky vendkalim kufitar do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik në mbarë rajonin. Pritet dokumenti të hyjë në procedurë qeveritare deri në fund të këtij muaji, me ç’rast një komision i përzier në nivel teknik do t’i dakordojë detajet e tjera të cilat duhet të harmonizohen në pajtim me procedurat në tre vendet. Programi IPA për bashkëpunim ndërkufitar midis Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë është me vlerë të përgjithshme prej 40 milionë euro, prej të cilave 10 për qind janë rezervuar për realizimin e këtij projekti strategjik.

Vitin e kaluar në kuadër të këtij programi janë kontraktuar marrëveshje për financimin e 40 projekteve të tjera në vlerë të përgjithshme prej 30 milionë euro. Deri në fund të periudhës programuese planifikohet edhe një thirrje publike për projekte në vlerë të përgjithshme prej gjashtë milionë euro në të cilin mund të aplikojnë organizata joqeveritare, komuna, institucione dhe subjekte të tjera jofitimprurëse. .