Më së voni deri sonte Athina do t’ia dërgojë Notën verbale Shkupit

në kategorine Maqedoni

Athinë, 12 shkurt 2019 (MEDIAL) – Gjatë ditës së sotme, sipas të gjitha gjasave deri sonte, Greqia do t’ia dërgojë Notën verbale Maqedonisë, lajmëron korrespondentja e M.I.A-s nga Athina. Kanë mbetur disa hollësi diplomatike që nota nga Athina të dërgohet në Shkup dhe kjo duhet të ndodhë së shpejti.

Sipas informatave të M.I.A-s nga Athina, nesër, ndërkaq, në Bruksel, në margjina të Samitit të ministrave të mbrojtjes të NATO-s, takim do të mbajnë Radmilla Shekerinska dhe Evangellos Apostollakis, ministrat e Mbrojtjes të Maqedonisë dhe Greqisë. Nuk është përjashtuar mundësia, përveç që do të jetë takim për njohje, Apostollakis t’i propozojë Shekerinskës, që mu Greqia ta stërvitë ushtrinë e Maqedonisë.

Në pallatin presidencial në Athinë sot u mbajt pritje për nder të korit diplomatik. Gjithsej 90 ambasadorë dhe diplomatë, mes të cilëve edhe ushtruesja e detyrës në Zyren për lidhje të R. së Maqedonisë në Greqi, Lidia Boshkovska, u pritën dhe përshëndetën nga presidenti i Greqisë, Prokopis Pavlopullos dhe kryeministri grek, Aleksis Cipras, lajmëroi korrespondentja e M.I.A-s nga Athina.

Në pritje, përveç korit diplomatik dhe presidentit Pavlopullos dhe kryeministrit Cipras, të pranishëm ishin edhe shumë ministra të Qeverisë greke, mes të cilëve edhe ministri alternativ i Punëve të Jashtme, Jorgos Katrugallos, ministri i Mbrojtjes, Evangellos Apostollakis dhe zëvendësi i tij, Panajotiss Rigas, zëvendës shefat e diplomacisë greke, Markos Bolaris dhe Terens Kuik, ministrja e Mbrojtjes Civile, Olga Gerovasili, ministri i Marinës, Fotis Kuvelis, por edhe ish-shefa të diplomacisë dhe ish-kryetarë të parlamentit grek. .

 

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.