Aleanca për Shqiptarët: Vazhdon epidemia e shpresëvrasjes të mjekëve të ri

në kategorine Maqedoni

Shkup, 12 shkurt 2019

Jemi dëshmitar për emigrimin e mjekëve të ri nga Maqedonia Veriore në dekadën e fundit që merr përmasa të një epidemie në shoqërinë që kalon prej problemi në problem, prej skandali në skandal, duke mos e gjetur fundin e problemeve dhe ndërprerjen e këtij kanceri me pasoja të paparashikueshme në shëndetësinë e popullatës në një të ardhme të afërt.

Kjo vrasje e shpresës vazhdon në kontinuitet dhe rritet pas çdo konkursi për punësime të personelit mjekësor, për shkak të parregullsive dhe mosrespektimin e rezultateve nga testi e intervistat dhe për shkak të ndikimit të fortë nga partitë politike qeveritare që edhe më tej do të rrisin shpresëvrasjen e rinisë dhe humbjen e kuadrit kualitativ.

Duke filluar nga konkurset e spitaleve të qytetit në Kërçovë, Manastir, Gostivar, “8 Shtatori” etj. ky fenomen përhapet pa kontroll dhe përsëritet edhe në javët e kaluara. Në Klinikën universitare të nefrologjisë në Shkup janë pranuar tre mjekë dhe tre motra, asnjë shqiptar edhe pse ka pasur kandidat që plotësonte kushtet duke pasur parasysh se kjo klinikë nuk ka asnjë mjek shqiptar.

Skandali më i freskët ndodhi në Spitalin klinik në Tetovë ku pas mbarimit të testit janë shpallur rezultatet dhe të nesërmen janë zhdukur duke shpallur rezultate të reja ku në listën e re ishin eliminuar kandidatët që kishin plotësuar kushtet e pranimit duke futur kandidatë që nuk e kanë kaluar pragun e pikëve apo që fare nuk kanë konkurruar. Si shembull të padrejtësisë kemi kolegen Vjosa Iljazi, e cila ishte e ranguar e dyta me 74.80 pikë, por e eliminuar nga komisioni i Spitalit Klinik në Tetovë pa dhënë shpjegim konkret që paraqet një presedan dhe është e papranueshme për një shoqëri “qytetare” dhe “demokratike”.

Departamenti i Shëndetësisë pranë Aleancës për Shqiptarët, mjekëve që kanë plotësuar kushtet dhe janë pranuar me meritë ju dëshirojmë punë të mbarë dhe suksese në ardhmëri ndërsa menaxhmentit të të gjitha spitaleve të prekura nga ky fenomen skandaloz ju apelojmë dhe urgjentisht ju kërkojmë që të bëjnë revizion të këtyre parregullsive dhe të hapin dyert për më të mirët duke respektuar përgatitjen profesionale e jo afërsinë me partitë politike qeveritare sepse kjo nuk përputhet me premtimet e dhëna që do kemi depolitizim absolut të shëndetësisë, sidomos në politikat kadrovike që do zbusin emigrimin në një të ardhme të afërt, pse jo edhe t’i kthejmë mjekët tanë nëpër spitalet tona, ku edhe e kanë vendin.

Aleanca për Shqiptarët
Departamenti për Shëndetësi

______________________________

.

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.