Uran Ismaili: Ne po e ndreqim atë që shkatërruat ju, gëzohuni

në kategorine Kosovë

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, i është kundërpërgjigjur Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke thënë se viti 2018 ka qenë viti më i mirë që ka pasur sektori shëndetësor në vend.

Madje, ministri Ismaili ka thënë se është LDK-ja ajo e cila e ka shkatërruar sektorin e shëndetësisë, të cilin , tash, me shumë mund, po e ndreq ai.

“LDK, e cila ka shkatërruar sistemin shëndetësor për 10 vjet me radhë dhe e ka varfëruar qytetarin, sot flet për kolaps në këtë sektor. Është e vërtetë se ka një kolaps.

Që kur kemi marrë ne detyrim, ka ndodhur një kolaps i së keqes – të cilën e ka lënë trashëgimi kjo parti që mbi shëndetësinë kishte një lloj monopoli politik”, ka shkruar ministri Ismaili, përcjell lajmi.net.

Më tej, ai ka thënë se lajmeve të mira do të duhej tu gëzohej kjo parti.

“Ndaljes së korrupsionit në blerjen e barnave prej 6 milionë euro, rritjes së pagave për profesionistët shëndetësorë dhe shërbimit 24 orësh për kujdesin e zemrës dhe stentimin, si vetëm një pjesë e vitit më të suksesshëm që ka pasur shëndetësia pas luftës, do të duhej t’u gëzohej edhe LDK-ja”, ka shtuar ai.

Në fund, ministri Ismaili, i ka bërë thirrje kësaj partie që të mos pengoj reformat të cilat po ndodhin.

“Fakti që janë kryer më shumë punë brenda vetëm një viti sesa gjatë tri mandateve të LDK-së, duhet të jetë pikëlluese për ta, por unë i ftoj që të jenë përkrahës, e jo pengues, të reformave në shëndetësi, prej të cilave përfitojnë qytetarët tanë, pa dallime partiake”, ka përfunduar ai.

Burimi: https://infokosova.org/

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.