Kundër patriotizmit të “zbehtë”, apo, pse ishte e arsyeshme taksa 100% e propozuar nga Kadri Veseli

në kategorine Opinione

Heqja e taksës 100%, kërkon, po aq vendosmëri
dhe largpamësi, gati sa të gjitha shkaqet që e sollën atë, për të qenë prapë,
larg çdo koketimi si metodë, kundër patriotizmit të “zbehtë”, apo, rrjedhje të
peshqve nëpër rrjetë, gjë të cilën e pikasi me kohë, z. Veseli.

Kur politika vendos të marrë veprime me impakt
të drejtpërdrejt ekonomik, i nënshtrohet më shpejt gjykimit publik, paçka se
çdo vendim politik ka ndikim në jetën e qytetarëve dhe ekonominë e qytetarëve.

Vendimi për taksën, solli disa lëkundje të
opinion, të cilat as vet ata që i sollën, nuk kanë mundur t’i planifikojnë.
Ato, u morën si çështje debati, nga Uashingtoni, Brukseli, Moska, Berlini,
Londra, Pekini, Parisi, Roma e metropolet tjera më të vogla politike.

Jo se Kosova ka prodhim ekonomik, nëse i heqim
lëndët e para apo edhe kërpudhat e prodhuara në Mitrovicë nga Agim Bahtiri,
vendimi solli jehonë të paparë, ngase Kosova u soll në tavolina, u përfol pas
këtij vendimi për herë të parë në nivel global pas shpalljes së pavarësisë.

Po si erdhi kjo masë?

Procedura e vënies së taksës ishte
vetëmbrojtje, ishte shenjë se Kosova duhet të ndërmerrte diçka pas goditjeve të
pareshtura të Serbisë dhe dështimit që pësoi vendi nga propaganda e çnjohjeve
por edhe pengesat në anëtarësim si në Interpol etj. Kosova, filloi të marrë një
pozitë që nuk ishte e njohur deri më atëherë, të jetë palë e vendimeve që të
tjerëve ju sjellin dhimbje.

Dhimbja e Serbisë pas taksës 10%, nuk ishte e
madhe nga përqindja e eksporteve të saj, por gjithsesi e trandi, deri në
ulërimë kur ajo kërceu në 100%. Ishte kjo epokë e kthjellimit serb, përball
Kosovës. Ajo, e pësoi një goditje “nga reja për së kthjellëti”, goditje e cila
nuk mundi ta rikuperojë, as me hapjen e tregjeve të reja dhjetëra herë më të
mëdha se të Kosovës, nga miqtë “tradicional”.

Reagimi i flashkët i Serbisë me rastin e
vënies së taksës 10%, nuk ishte shenjë se Serbia do të pësonte ndonjë goditje
të pariparueshme, edhe reagimi ishte i tillë, konform taksës.

Ngritja e taksës në 30%, ishte shenjë se
Kosova e ka përnjëmend, jo vetëm vënien e kësaj mase si të padëgjueshme në këto
anë, por për fuqizimin e pozitës së vet, përball disa segmenteve tregtare e
prodhuese.

Si duket, rrëshqitjen e peshqve bashkë me ujin
nëpër rrjetin e peshkimit të krimit të ri ekonomik të lojës me përqindjen e
taksës, e pikasi, kryetari i Koalicionit qeverisës, Kadri Veseli. Bashkëjetesa
e taksës në dokumente, 10 apo 30%, do të linte një shteg të hapur për krimin e
ri ekonomik, për bashkëjetesën me krimin të kompanive të mëdha me mallrat e
prodhuara në Serbi, por edhe rritjen e kontingjentit dhe vëllimit të supozuar
të krimit ekonomik.

Vendosja e taksës 100%, tashmë nuk ishte një
lojë e numrave por vendim i pjekur dobiprurës për shtetin, vendim largpamës me efekte
të shumta anësore, gjithsesi të shëndetshme për shtetin dhe të ardhmen e
raporteve të sinqerta fqinjësore, por edhe rikthimin e Kosovës, në tavolinat e
mëdha e të vogla diplomatike.

Përqindja e lartë e taksës, 100%, sigurisht
ishte edhe e pabesueshme, duke shuar të gjitha mundësitë e koketimit të
tregtarëve, me nivelet politike apo biznesore të cilat 10 e 30% nuk i bënte të
ulërinin nga dhimbja si pak ditë pas vendosjes së taksës në nivelin 100%. Janë
po ata, të cilët njëkohësisht Kosovën e kanë bërë aq shumë të varur nga ajo
prodhimtari, të rekomandojnë se Kosova po e dëmton veten. Këtu, fare nuk ka të
bëj qëndrimi diplomatik i Presidentit Thaçi, i cili, si burrështetas po qëndron
mbi situatën.

Vendimi për taksën, njëkohësisht riktheu
Kosovën si shtet dhe subjekt që prodhon vendime edhe të dobishme për veten,
shtetësinë dhe interesin e qytetarëve e vet, për mallra cilësore, marrëdhënie
të mira fqinjësore e deri te ngritja e prodhimit vendor.

Heqja e taksës 100%, kërkon, po aq vendosmëri
dhe largpamësi, gati sa të gjitha shkaqet që e sollën atë, për të qenë prapë,
larg çdo koketimi si metodë, kundër patriotizmit të “zbehtë”, apo, rrjedhje të
peshqve nëpër rrjetë, gjë të cilën e pikasi me kohë, z. Veseli.

Burimi: http://www.ekonomiaonline.com/