Kryetar i SBAShK-ut “E qel derën dhe e mshel derën”

në kategorine Opinione

Gjysëmvjetori i ri mësimor filloi duke mos filluar. Kjo është gjendja normale në fillimet e viteve, gjegjësisht, gjysëmvjetorëve në Republikën e dashur të Kosovës. Është bërë normale që fëmijët e Kosovës asnjëherë të mos e dijnë me saktësi ditën se kur do të fillojnë apo rifillojnë mësimin. Ata mund ta kenë si iluzion se fillim Shtatori janë ditët e para të mësimit për më të vegjëlit, apo viti i ri mësimor për dikë tjetër , por këtë me siguri nuk e dijnë as ata e as prindërit e tyre. Atë e di vetëm Rrahman Jashari . “Ai e hap derën, ai e mbyll derën” (cituar nga Ekspertiza , program humoristik) .

Rrahman Jasharit nuk i kujtohet ndonjëherë që ky nuk kërcenoi me greva gjatë çdo fillim viti apo gjysëmvjetori . Atij nuk i kujtohet që ta ketë bërë këtë “gabim” edhe pse kujtesa e tij qëndron fuqishëm . Rrallë i kujtohet që me greva të ketë arritur ndonjë sukses, porse kjo është arma e tij e para dhe e fundit, duhet ta përdor vend e pa vend, që armiku të zmbrapset që në fillim nga fuqia e tij tmerruese.

Z. Jashari e luan sindikalistin e fortë , atë sindikalistin i cili duket si i hutuar porse vetëm një gjë di më së miri. Ai di grevën , ai di mobilizimin e mësueseve të  Kosovës , ai e di se si i qarkulon gjaku përkrahësve të tij. Ai e di që me sabotim të mësimit nuk janë në pajtim të gjithë mësuesit e Kosovës, por e di se atyre i pëlqen zgjatja e pushimeve . Me këtë, Z.Jashari arrinë dy gjëra , e para fuqinë e tij sipas së cilës ai po mund t`i lë në shtëpi mbi njëzet e tremijë mësues përderisa paga e tyre vazhdon normalisht dhe e dyta , si pasojë e mësueseve  edhe fëmijët janë në shtëpi që do të thotë është shantazh për qeverinë. Duke qenë se z.Jashari shumicën e herave nuk i arrinë qëllimet e tij dhe që i reklamon si të mësuesëve atëherë organizon ndonjë takim me krerët institucional, arrinë një “marrveshje “ dhe fillon luan rolin e të dërguarit kur thoshtë apo do të thotë: Do të shkojmë në mësim për hatër të fëmijeve! – Kjo është hipokrizi e kulluar.

Sindikata e Arsimit grevat e tyre i ka shumë jofisnike. Kjo sindikatë asnjëherë nuk kërkon përmisim të kushteve të punës për mësuesit të cilat janë të domosdoshme për mësim sa më të cilësor. Aktivitete jashtë mësimore janë pothuajse zero, në shumë shkolla ambienti i mësimit është i amortizuar dhe i ftohtë gjë që e bën të pamundshme efikasitetin e orës mësimore. Nxënësve iu është shtuar pesha e çantave të tyre ndërsa dollape për ta as që bëhet fjalë të vendosen . Kjo pra është sindikata jonë. Kjo është sindikata e Rrahman Jasharajt. Kjo është greva e tij e cila gjithmonë bën grevë për paga , mëditje etj. Ky, zotrinjë prindër, nuk i përfaqëson të drejtat e arsimtarëve e rrjedhimisht tuajat. Ky njeri po zhvat me postin.

Nominalisht pagat në Kosovë janë të ulëta, si në sektorin privat ashtu edhe publik . Dallimi është se pagat tek sektori privat vendosen me marrëveshje mes punëdhënësit dhe punëmarrësit. Në një treg deficitar në çdo aspect përpos të numrit të të papunëve nuk mund të flasim edhe aq për një marrëveshje perfekte mes dy palëve,  por nuk ka ndonjë rregull që paga minimale të jetë dinjitoze. Ajo është 170 euro dhe më mirë të mos ishte . Në sektorin publik ndryshon mënyra e vendosjes së pagës. Ajo është me ligj paraprak .Kjo do të thotë se secili punëmarrës i sektorit publik , para se të merr punën ai është i njoftuar me llojin e punës dhe me shpërblimin për të. Punëmarrësi pranon punën me një afat të caktuar ose pa afat .Nëse puna është me afat të caktuar atëerë punëmarrësi edhe nuk bën grevë, por kur puna është me afat të pacaktuar sikurse tek ne , nënkuptohet se kjo kontrat është deri në amshim, atëherë ata e kanë luksin të bëjnë  edhe lojëra të tilla si Greva e Arsimtarëve .

Nga një dorë e fortë qeverisëse kjo grevë do të shuhet nga një afat të cili kryeministri i vendit do t`i jepte sindikatës . Nuk është Z.Jashari ai që e hap dhe e mbyll derën e shkollës . Ata janë nxënësit dhe mësuesit pas tyre. Z.Rrahman Jashari është në pozitë në funksion të shkatërrimit përfundimtar të arsimit dhe të dijes në Kosovë .

Për fund, kërkesat e arsimtarëve të pazbuluara nga sindikata për kushtet e mbarëvajtjes në punë janë parakusht që dituria të ecë përpara ndërsa paga do të vije si shpërblim i punës së mirë .

Burimi: http://www.ekonomiaonline.com