Gjykata Speciale nuk është reja e zezë, përkundrazi

në kategorine Opinione

Krahasimi i Gjykatës speciale me renë e zezë është totalisht i pavend. Gjykata është pikërisht ai diell që do të provojë të zhdaravisë renë e zezë që bota e sheh apo e projekton gjithandej mbi qiellin e Kosovës. Kjo është gjykatë e ngritur nga Kuvendi i Kosovës për ta përcaktuar pafajësinë e UÇK-së dhe eventualisht ndonjë fajësi individuale. Kjo nuk është një gjykatë që denon të dyshuarit në bazë të shpifjeve, por vetëm në bazë të provave. Ai që i frikësohet gjykatës do me thënë se i frikësohet provave dhe ai që i frikësohet provave do me thënë se i frikësohet veprave të veta. Të lutemi që të mos jetë asnjë i tillë dhe çdo i akuzuar të kthehet në shtëpi të vet i pastër dhe i pafajshëm.

Deputetët që votuan Gjykatën nuk duhet të stigmatizohen. Çlirimi nga Serbia pati një kosoto dhe një sakrificë të madhe. Edhe ndërtimi i shtetit kërkon të njëjtën gjë, minus gjakun e derdhur! Është moment i mirë që ta pastrojmë veten nga shpifjet e Serbisë, para botës dhe para historisë. Kjo Gjykatë nuk duhet t’i shërbejë askujt për të bërë politikë afatshkurtër, sepse shteti ligjor është politikë afatgjate dhe është synim i çdo shteti demokratik.

Nuk ka ndonjë rëndësi se si e shohim dhe çka themi ne për veten, por se si na shohin të tjerët dhe çka thonë ata për neve. Sepse, ne po e ngremë shtetin tonë të ri këtu në tokë, mes popujve tjerë dhe jo në ndonjë planetë tjetër. Dhe, kjo botë po përpiqet që të bëhet gjithnjë e më e mirë për të gjithë, pra edhe për neve. Prandaj, patriotozëm nuk është të punosh vetëm për kombin tënd, por edhe për kombet tjera. Ashtu siç punuan ato për ne dhe siç do të punojnë në të ardhmen. Në një botë më të mirë edhe Kosova do të jetë më e mirë.

Burimi: http://www.ekonomiaonline.com