Kultura në Maqedoni në duart e femrës shqiptare

në kategorine Kulturë/Maqedoni

Galeria Kombëtare e Maqedonisë në vitin 2018 e kremtoi 70-të vjetorin e themelimit të saj.

Viti jubilar ishte një sfidë për realizimin e një numri mbresëlënës të ekspozitave dhe eventeve në tre objektet e Galerisë Kombëtare të Maqedonisë (“Hamami i Daut Pashës”, “Çifte Hamami” dhe “Malla Stanica”) me përkushtim dhe profesionalizëm të madh të të gjithë ekipit të GKM i udhëhequr nga drejtoresha Dita Starova Qerimi. 

Me punë ekipore Galeria Kombëtare e Maqedonisë u bë një tempull i mirëfilltë i artit

Ekspozitat retrospektive të veprave të Borko Llazeski, Ibrahim Kodra, Adem Kastrati, Dragan Poposki-Dada dhe Tanas Llullovski bashkë me solemnitetin qendror në shënimin e jubileut, i cili u mbajt më datë 5 dhjetor në “Hamamin e Daut Pashës”, janë pjesë e aktiviteteve të shumta të Galerisë Kombëtare të Maqedonisë (GKM) gjatë vitit 2018. Duke e shënuar jubileun e 70 vjetorit të themelimit të Galerisë Kombëtare të Maqedonisë u dëshmua si tempull i artit figurativ dhe promotor i jetës kulturore në Maqedoni. 

“Sot ne jemi  krenarë, por edhe të mbushur me ndjenjën e madhe të përgjegjësisë se gjeneratës sonë i është dhëna mundësia historike të jetë pjesë kontemporane e sintezës së kolosëve gurthemelues të Galerisë, me veprimin e tyre të unifikimit dhe krijimtarinë e pasur artistike, para së gjithash me gurthemeluesit e artit figurativ maqedonas dhe të Galerisë Kombëtare të Maqedonisë: Llazar Liçenoski, Nikolla Martinoski, Dimo Todorovski, Dimço Koco dhe artistët e tjerë të asaj periudhe”: theksoi Dr. Dita Starova Qerimi, drejtoreshë e GKM, në fjalën e saj përshëndetëse drejtuar të pranishmëve në ceremoninë me të cilën u shënua jubileu i GKM. 

Po atë natë, u hap edhe ekspozita “Fillesat për mbajtje mend”, me të cilën u prezantuan 150 fletë të dokumentacionit origjinal arkivor nga viti 1948 deri në vitin 1956 të cilët janë dëshmi për storjen e suksesshme që ka të bëjë me formimin e Galerisë, përmbledhjen e Galerisë dhe me mënyrën e udhëheqjes së Galerisë. 

Për veprimtarinë e institucionit fjalë mbajti edhe kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, akademiku Taki Fiti, i cili nënvizoi se ASHAM dhe GKM kanë një lidhje të natyrshme organike.