Jepini fund këtij turpi!

në kategorine Opinione

Kryeministri Edi Rama caktoi për ministër të Jashtëm një djalë të ri të moshës 28-vjeçare dhe nga Prishtina, pas shtatë muajsh angazhimi në ministrinë e Jashtme si zv.ministër. Këto orë për të po thuhet se paska njohuri të admirueshme, pavarësisht nga mosha. Kjo tregon në fakt metrin e gjykimit dhe standardin e vlerësimit të të emëruarve në shtetin e sotëm shqiptar. Del e qartë kësisoj sesi u bëkan vlerësimet dhe si arrihet në konkluzione mbi karrierat dhe nivelin profesional të të emëruarve, që të habisin për mendjelehtësinë që bartin!





Kryeministri Rama ka hyrë në konflikt publik me Presidentin e Republikës për kandidaturën e ministrit në fjalë, duke spostuar njëkohësisht edhe ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati, i cili ende është në detyrë. Nga ana e tij, edhe Presidenti duket se po luan politikisht.

Mendoj se kjo situatë, kështu siç shihet e gjykohet në momentin aktual, nuk shkon në drejtim të interesave të mëdha të vendit, si në rrafshin politik e kombëtar, ashtu edhe në atë global.

Nuk po zgjatem, por shënoj se kjo që ka ndodhur e që vijon të konsumohet, tregon qartë sesa i papjekur është vendi ynë, sesa joseriozë janë politikanët shqiptarë, sesa i cekët është gjykimi i tyre dhe sa të kënaqur duhet të ndjehen sot disa fqinjë që sodisin maskaradën tonë të radhës.

Ministria e Jashtme është nga institucionet më të rëndësishme të vendit. Me të nuk mund të bëhen lojëra dhe akrobaci, apo lajthitje si ato që vihen re tek ne. Ky institucion është pasqyra e vendit në arenën ndërkombëtare! Serioziteti i tij reflektohet pike së pari që nga titullari i ministrisë e më pas zbret poshtë te drejtorët, ambasadorët e kështu me radhë.

Është shumë zor sot të gjesh një vend që të ketë për ministër të Jashtëm një djalosh kaq të ri dhe pa përvojë, ose me përvojë mjerisht minimale. Rasti i veçantë i Austrisë që po citohet lart e poshtë ishte thjesht një përjashtim, por shënojmë se ish-ministri i Jashtëm, sot kryeministër, kishte mbi 15 vjet karrierë në partine e tij politike, ishte rritur dhe ngritur atje, dhe gjeti dhe la një staf ministrie tepër serioz dhe me përvojë mjaft të gjatë, që e udhëzonte rregullisht.

Shkolla e kryer, diku edhe kjo duhet parë me kujdes, kur është puna për poste të tilla, të mëson sesi dhe ku duhen hapur librat, ajo të mëson edhe se cili libër duhet hapur e konsultuar në cilën periudhë, etj. Por, shkolla nuk është etaloni i vetëm kutmatës! Përvoja është puna, puna dhe vetëm puna, eksperienca në diplomacinë e aplikuar, ku kalohen e hipen të gjitha shkallët profesionale, gradualisht dhe një nga një. Parashutimet e menjëhershme janë mjaft të rrezikshme për një shtet serioz (mirëpo një shtet serioz nuk bën ato që bëjmë ne në Shqipëri…). Vendi ynë nuk e ka luksin për të tilla situata joserioze.

Ky rast ekstrem duhet të bëjë që të reflektohet dhe jo të shahet, të rivendosen ekuilibrat dhe të jepen zgjidhje me një ministër tjetër, në moshë të respektuar, me njohuri, përvojë dhe zgjuarsi politike dhe diplomatike! A nuk ka vallë një njeri të tillë e gjithë struktura e Partisë Socialiste? Po ajo e opozitës vallë nuk ka? Po OJQ-të, apo shoqëria civile nuk paskan një të tillë? Me siguri që po, por duhet menduar thellë!

Shqipëria, si thamë më lart, nuk i ka disa lukse si të tjerët. Ne jemi vend i vogël, gabime mund të bëhen lehtë dhe ato lënë pasoja jo të vogla. Ne duhet të bëjmë shumë herë më tepër kujdes që të jemi të respektuar, të dëgjuar, të pranuar me ndërgjegje dhe të zgjuar.

Mjafton të përmend këtu kryesinë e radhës të OSBE-së, që ne e marrim vitin e ardhshëm. Nga përvoja e gjatë e di mirë që duhet të ndalesh e të mendosh thellë: cili do jetë ministri i Jashtëm i yni dhe me çfarë bagazhi, moshe dhe përvoje do të vijë ai? Cili rast nuk krijon çekuilibra edhe të përmasave rajonale, vështrime vëngër, etj., me cilin ministër kryesia do të shkojë në të gjitha pikat e tensionuara apo konfliktuale të zonës së OSBE dhe do të bisedojë me pushtetarët, të zgjedhur ose jo, me parlamentarët, me OJQ-të vendore, me misionet e OSBE-se, me shoqërinë civile, me palët në konflikte etj.

Sa do të jetë ky ministër në gjendje të japë udhëzime dhe ide sesi duhet të bëhet kjo ose ajo gjë, si duhet të ndiqet ky ose ai proces, ç’drejtim duhet të marrin teza dhe propozime të caktuara, që ato të jenë të duartrokitura dhe të pranueshme për të gjithë! Me cilin ministër do të bisedojnë homologët e Evropës dhe më gjerë, me cilin ministër do të shkëmbejnë ata mendime të pjekura, të thella në përvojë dhe nga cili ministër, kryetar radhe, ata do të marrin udhëzime?

Është nevojë urgjente që këto aspekte, të gjitha e paneglizhuar as edhe një prej tyre, të mendohen thellë dhe të arrihet në konkluzione dhe gjetje të forta, të qëndrueshme, të rregullta dhe të respektueshme e të pranuara nga të gjithë. Këtë ta mëson përvoja e gjatë, këtë ne, Shqipëria, nuk kemi luksin ta anashkalojmë apo, edhe më keq, ta injorojmë. Sharjet, hedhja e fajit sa këtej, sa andej, këmbënguljet foshnjore etj., nuk ndihmojnë aspak.

Ai që di të falë dhe të thotë “u bë një gabim, hajde ta korrigjojmë bashkërisht, të shohim dhe të ecim përpara” – ai tregohet i lartë. Nuk është turp, përkundrazi, bën mirë, është në të mirën e vendit.

*Autori është diplomat i vjetër, ai ka qenë ambasador i Shqipërisë në Austri, OKB, OSBE, Angli, si dhe ka qenë për shtatë vjet Asistent Special i Drejtorit të Përgjithshëm të IAEA për Strategjinë.

 

Burimi: http://www.gsh.al/

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.