Parkinsoni, jo vetëm sëmundje e të moshuarve, dalloni shenjat e para

në kategorine Shëndeti

Sëmundja e Parkinsonit karakterizohet edhe nga prekje e
funksioneve mendore, gjë që bëhet më e dukshme me kalimin e kohës. Njëkohësisht
pacientët bëhen më të ndjeshëm dhe fillojnë të shfaqin edhe fenomenin psikotik,
siç janë halucinacionet, veçanërisht ato vizuale.

Sëmundja e Parkinsonit është sëmundje neurodegjenative
progresive, me fjalë të tjera një sëmundje që vjen nga dëmtimi i ngadaltë i
qelizave në qendra të caktuara të trurit (lënda e zezë në mesencephalon).

Dr. Erion Dushi, mjek Neurolog shpjegon për “Mapo” se cilat
janë shenjat e para të kësaj sëmundjeje dhe si në disa raste ajo mund të
shfaqet edhe te moshat e reja. Doktori neurolog tregon se cilat janë trajtimet
e fundit në këtë fushë dhe pse konsulta me mjekun neurolog ndihmon në mbajtjen
në kontroll të sëmundjes.

Cilat janë shenjat e para? Si mund ta kuptojmë, duke qenë
se shfaqet edhe te moshat e reja?

Shfaqja e sëmundjes është zakonisht shumë graduale dhe
shpesh me shenja jospecifike veçanërisht në fazë të hershme. Shenja të hershme
mund të jenë çrregullime të gjumit, rënie të nuhatjes dhe luhatje të presionit
arterial që mund ta bëjnë një pacient të ndjeshëm nga qëndrimet e zgjatura në
këmbë.

Shenja të tjera mund të jenë çrregullime të zakoneve të
tualetit, veçanërisht konstipacioni, apatia, përgjumja gjatë ditës, dhimbje të
artikulacioneve dhe të shpinës.

Diagnoza vendoset në mënyre tipike kur sëmundja shfaqet me
disa shenja karakteristike që janë: ngurtësimi i muskujve apo rigiditeti,
ngathtësia në lëvizje apo bradikinezia, dridhja e anësive dhe kokës, dhe
çrregullimi i reflekseve të posturës të cilat na ruajnë nga rrëzimet kur
ndryshojmë pozicionin e trupit gjatë aktivitetit ditor.

Këto karakteristika klinike vlerësohen nga mjeku neurolog
duke konsideruar edhe të kaluarën mjekësore të pacientit, për të përcaktuar
diagnozën.

Shfaqja e parkinsonit herët, pra në moshë të re, a e bën
sëmundjen më të vështirë për t’u menaxhuar?

Sëmundja shfaqet zakonisht në dekadën e gjashtë dhe të
shtatë të jetës. Shfaqja para moshës 50 vjeç konsiderohet moshë e hershme.

Në këto raste shpeshherë gjenden faktorë familjarë apo
gjenetikë, pra një pacient mund të ketë të afërm të tjerë në familje të prekur
nga sëmundja.

Ecuria e sëmundjes është e variueshme, por në mënyrë tipike
vërehet një ecuri e ngadaltë.

Një nga terapitë kryesore është levodopa, një pararendës i
dopaminës, e cila është substancë që mungon në ganglionet bazale. Efekti i saj
është shumë i mirë në sëmundjen e Parkinsonit, por ky efekt bie me kalimin e
kohës. Për më tepër, sëmundja ndërlikohet dhe me shfaqjen e disa lëvizjeve jo
të zakonshme që e bëjnë edhe më të vështirë trajtimin.

Moshat e reja janë veçanërisht të prekur nga këto fenomene,
që në gjuhë mjekësore quhen diskinezi.

Sëmundja e Parkinsonit karakterizohet edhe nga prekje e
funksioneve mendore, gjë që bëhet më e dukshme me kalimin e kohës. Njëkohësisht
pacientët bëhen më të ndjeshëm dhe fillojnë të shfaqin edhe fenomenin psikotik,
siç janë halucinacionet, veçanërisht ato vizuale.

Si
diagnostikohet Parkinsoni?

Nuk ka ekzaminime specifike që të çojnë në diagnozë.
Rezonanca magnetike ndihmon për të vlerësuar parenkimen cerebrale dhe nevojitet
për të dalluar patologji të tjera që mund të japin shenja te ngjashme. Një
ekzaminim tjetër imazherik është PET SCAN dhe MR spectroscopy, që mundësojnë
vlerësim në nivel metabolik të qendrave cerebrale, pra ato tregojnë nëse një
qendër e caktuar e trurit po “ushqehet” mirë apo jo. Ekzaminim interesant është
dopleri transcranial, që kryhet në spitalin Hygeia dhe mund të tregojë
hiperintensitet në lëndën e zezë të mesencefalonit.

Si
trajtohet sëmundja?

Në faza të avancuara të sëmundjes, pacientët mund të
trajtohen me metoda relativisht të reja, siç është neurokirugjia funksionale
apo duodopa, domethënë dhënia e levodopës në mënyrë të vazhdueshme përmes një
pompe direkt në zorrën e hollë. Trajtimi i sëmundjes së Parkinsonit mbetet një
sfidë dhe shpesh kërkon një punë në ekip.

Burimi: http://www.ekonomiaonline.com/

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.