Merkel me mbështetje për Marrëveshjen e Prespës

në kategorine Maqedoni

Vëmendja e mediumeve greke pas takimit të Angela Merkelit me Aleksis Ciprasin e monopolizoi qëndrimin e kancelares gjermane lidhur me Marrëveshjen e Prespës, ndërkaq duket sikur mu zgjidhja mes Maqedonisë dhe Greqisë ka qenë njëra nga temat kryesore të bisedimeve në pallatin presidencial në Athinë.

Në konferencën për shtyp pas takimit me Ciprasin, Merkel e përdori emrin Maqedonia Veriore për vendin tonë dhe tha se Marrëveshja e Prespës nuk sjell përfitime vetëm për Maqedoninë Veriore, e cila mund të bëhet anëtare e NATO-s dhe BE-së, por është edhe në dobi të Greqisë dhe tërë Evropës, lajmëroi korrespondentja e MIA-s nga Athina.

“I jam mirënjohëse Aleksis Ciprasit, i cili punoi në zgjidhje të çështjes shumëvjeçare me emrin, duke tentuar të gjejë zgjidhje së bashku me kryeministrin e vendit fqinj, zotëri Zaevin. Mendoj se këtu bëhet fjalë për diçka për të cilën secili prej nesh e dinte se nuk do të ofrojë zgjidhje të lehtë, por tani me emrin Maqedonia Veriore për të gjithë ne, dhe këtu flas në emër të Gjermanisë, krijohet qartësi dhe jep mundësi që Maqedonia Veriore të mund të bëhet anëtare si e NATO-s, ashtu edhe e Bashkimit Evropian. Por, kjo nuk është mirë vetëm për Maqedoninë Veriore, por është mirë edhe për vetë Greqinë”, tha Merkel dhe e uroi Ciprasin për hapin e vendosur “i cili nuk është në dobi vetëm të Maqedonisë Veriore dhe Greqisë, por edhe të tërë Evropës”.

Kryeministri grek, nga ana e tij tha se Marrëveshja e Prespës, në të ardhmen mund të jetë model për zgjidhje të kontesteve.

Kancelarja gjermane, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve lidhur me pohimet e liderit të Demokracisë së Re, Kirjakos Micotakis për këmbim të marrëveshjes së emrit me pensionet, tha se “nuk ekziston kurfarë lidhje mes aktiviteteve për çështjen e emrit dhe çështjen e reformave ekonomike” dhe shtoi se është e befasuar që është dashur të përmendë diçka të tillë.

“Gjithsesi se do të ekzistojnë qëndrime të ndryshme dhe gjithsesi unë nuk do të përzihem në planet e ndryshme të partive politike në Greqi. Unë,, thjeshtë do të doja ta propagoj fundin e çështjes me emrin. Do të bisedoj me Micotakisin pa dashur t’i jap vlerë të madhe rolit tim, por besoj se kjo që po ndodhë, zgjidhja e emrit, do të jetë në dobi të Maqedonisë Veriore, të Greqisë, por edhe të BE-së. Jam thellësisht e bindur për këtë”, theksoi Merkel dhe shtoi se ashtu siç e tërë çështjen e ka vendosur në konferencë për shtyp, do t’ia paraqesë edhe Micotakisit në takimin e tyre të sptëm, por konsdieron se nuk do të mund të ndikojë dhe ta ndërrojë situatën vetëm sepse ka folur si kancelare e Gjermanisë.

Përveç me Micotakisin, Merkel sot do të takohet edhe me presidentin Prokopis Pavlopullos.

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.