Hant: Ky është moment historik për Maqedoninë

në kategorine Maqedoni

Shkup, 11 janar 2019 (MEDIAL) – Ministri britanik i Punëve të Jashtme, Xheremi Hant e përshëndeti miratimin e ndryshimeve kushtetuese nga Parlamenti i Maqedonisë dhe e vlerësoi si rezultat historik.

“Sot, Kuvendi i Maqedonisë i miratoi amandamentet kushtetuese për të implementuar Marrëveshjen e Prespës. Shpresojmë që Marrëveshja do të ratifikohet edhe nga Kuvendi i Greqisë. Me këtë i jepet fund kontestit të gjatë midis dy vendeve dhe do ta hap rrugën për progresin e Maqedonisë drejt anëtarësimit në NATO dhe BE”, theksoi Hant.

Mbretëria e Bashkuar, shtoi, e përshëndet fuqishëm votimin në Kuvendin e Maqedonisë gjatë ditës së sotme në favor të implementimit të Marrëveshjes së Prespës.

“Ky është një moment historik për Maqedoninë. Ky proces shënon një hap të madh drejt zgjidhjes së problemit të gjatë rreth çështjes së emrit me Greqinë dhe e afron vendin drejt një të ardhme më të sigurtë, më stabile dhe me prosperitet më të gjërë në zemër të Bashkësisë Euro-Atlantike. Implementimi i Marrëveshjes do të hap mundësi më të mëdha për të rinjtë e Maqedonisë dhe njëherit demonstron se çfarë mund të arrihet me guxim, vendosmëri dhe vizion për të ardhmen”, porositi Hant. shk/