Problemet në çift çojnë deri në vrasjen e gruas

në kategorine Opinione

Viti 2019 ka nisur me ekzekutimin e gruas. Një grua shqiptare vritet nga babai, vëllai, bashkëshorti, kunati,  vjehrri  çdokush ka të “drejtën” për ta vrarë atë. Një burrë nga Ballshi vrau gruan dhe kunatën, një shqiptar tjetër në Selanik vrau të bijën dhe e varrosi në oborrin e shtëpisë së tij. Një  tjetër burrë qëllon me thikë gruan e tij, e cila gjendet aktualisht në koma.  A thua se çdo shqiptari i lind e drejta të vrasë gruan e tij.





Përse çiftet agravojnë deri në marrjen e jetës

Shumica e martesave  kryesisht në vendet rurale në vendin tonë ende realizohen me mblesëri. Me miratimin e prindërve. Emigrantët shqiptarë kthehen nga vendet fqinje dhe europiane për t’u martuar me një grua shqiptare, siç e kërkon zakoni i vendit që i përkasin. Pra, sado ato jetojnë në një vend të huaj ku të drejtat e gruas dhe trajtimi i femrës është primar,  në boshtin e tyre të formimit të personalitetit të tyre mbetet psiko-edukimi kulturor dhe modeli prindëror familjar me të cilët janë rritur. Kemi një paralelizëm, burri është shtylla e shtëpisë dhe pushteti i tij përmban dhunën psikologjike dhe fizike gjithashtu. Nga ana tjetër, kemi gruan, e cila duhet të durojë më çdo kusht martesën e shkatërruar dhe të mos pranojë asnjëherë të ketë divorc apo ndarje. Shumë çifte shqiptare janë të “martuar” me dasmën tradicionale dhe jo të celebruar.  Duket sikur përgjithësia më e madhe bie mbi gruan sa është e zonja ajo të durojë.

Për dhunën nuk flitet

Të flasësh për dhunën është diçka ende e rrezikshme për jetën e vetë gruas. Ajo nuk e denoncon dhunën pasi është e ndjeshme duke menduar se po denoncon babain e fëmijës. Apo nuk mund të ketë një martesë tjetër për shkak të paragjykimeve. Në herët e para që mund të jetë ankuar nuk është përkrahur nga familjarët e saj duke i thënë se duhet të jesh e zonja ta bësh burrin për vete që të mos dhunojë, tradhtojë, keqtrajtojë. Problemi shikohet se vjen nga ajo vetë. Ndarja në çift konsiderohet ende “një turp” për shumicën e zonave rurale në vendin tonë. Kërkesat më të mëdha për divorc janë vetëm në Tiranë. Në vitet e tjera kemi plot raste të regjistruara të vrasjes së gruas edhe pse të ndara nga burri, ai e quan përsëri veten burri i saj. Siç mbahet mend nga të gjithë rasti i gjyqtares Firdes. Ndërsa shumë gra të tjera të popullatës sonë kanë marrë emër për mënyrën e tmerrshme e humbjes së jetës së tyre. Dukë patur çifte të tilla, rriten fëmijë të tillë. Cikli përsëritet burra të dhunshëm dhe gra të nënshtruara.

Pse nuk denoncohet dhuna ligjërisht

Ka një lidhje të drejtpërdrejtë midis denoncimit dhe varësisë psikologjike. Shumë femra të dhunuara në mënyrë sistematike kanë qenë preh e depresionit dhe episodeve të tjera të trishtimit. Pamundësia ekonomike, pasi shumë prej grave janë shtëpiake dhe nuk kanë pavarësi. Një tjetër faktor janë mirë strukturimi i politikave sociale. Duke filluar që nga qendrat e mirëfillta të rehabilitimit për gruan vetë dhe fëmijët. Mbështetja ekonomike për ato gra të divorcuara dhe kërkojnë një asistencë sociale e cila të jetë e mjaftueshme për të jetuar.  Të jeni të sigurtë se çdo grua, e cila dhunohet fizikisht kërcënohet në mënyrë të vazhdueshme se po u largua do të vritet, ose do i merret apo vritet fëmija. Frika është e tmerrshme të kërcënohesh për gjënë më të shtrenjtë.

Sugjeroj  që legjislacioni i vendin tonë të ndryshojë  në strategjinë mbi këtë fenomen të tmerrshëm ndaj gruas. Nuk mund të jenë kaq shumë të guximshëm burrat kur përballesh me një ligj të hekurt.

* Psikologe Klinike dhe Këshillimi

 

Burimi: http://www.gsh.al/

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.