Haradinaj në Odën Amerikane: Viti 2019-të do të jetë vit i ekonomisë

në kategorine Biznes/Ekonomi

Oda Amerikane e Kosovës (OAK) sot priti në
takim kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Aty Haradinaj i rrethuar nga bordi drejtues i Odës Amerikane, tha se këtë vit Kosova është përballë me një situatë të mirë të ekonomisë në vend, raporton Ekonomia Online.

Haradinaj aty kërkoi edhe ndihmën e Odës
Amerikanë për bashkëpunim më të gjerë.

“E vërteta është që këtë vit ne kemi
ekonomi. Për fat të mirë disa punë të aspektit legjislativ janë kry, infrastruktura
e rendit dhe ligjit. Avancimi në rend dhe ligj është proces i vazhdueshëm nuk
ndalet. Ne e kemi synimin të fokusohemi në ekonominë e vendit. Do të punojmë që
të shkurtohet koha mes palëve. Jemi të hapur të bisedojmë edhe për ambientin
ligjit së bashku me ju”, tha Haradinaj.

Kryeministri tha se pagesa e TVSH-së së
shpejti duhet të bëhet në vend e jo në kufi.

“Ne e kemi kodin e ankesave me u kthy në
ATK pastaj pagesa e TVSh të bëhet brenda vendit e jo në kufi. Gjitha këto do i
vazhdojmë bashkë. Por, një situatë që dëshirojmë ta cekim është rreth investimeve
strategjike. Ne i kemi disa operatorë të mëdhenj që operojnë në Kosovë dhe jemi
të interesuar që në këtë kornizë të i japim një frymë investimeve amerikane që
janë të përbashkëta. Kërkojmë ndihmën e juaj që të punojmë bashkë. Në sistem
publik është marrë një vendim, por nuk ka ndodhë rezultati”, tha ai.

Haradinaj premtoi se së shpejti do nxirret
edhe ligji për pagat i cili sipas tij prapë do t’i ketë defektet e tij.

“Te pagat s’ka pasë ligj të pagave, së shpejti do ta kemi një ligj i cili prapë do i ketë defektet e saj”, tha ai, raporton EO.

Haradinaj në takim përmendi edhe gjendjen në Telekom
e cila sipas tij është jo profitabile dhe kërkon një zgjidhje të shpejtë.

“Gjendja në Telekom është një gjendje jo profitabile dhe na duhet ta marrim një vendim se në çfarë procesi mendojmë ta nxjerrim Telekomin. Do jemi afër ta marrim një orientim lidhur me këtë çështje”, tha ai.

Drejtori Ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane, Arian Zeka ka thënë se qëllimi i takimit është diskutimi lidhur me përshpejtimin e zhvillimit ekonomik.

Zeka shpreson që viti 2019 do të jetë me prioritet ashtu siç është paralajmëruar nga kryeministri, një vit i zhvillimit ekonomik.

E, presidenti i Bordit të Odës Amerikane, Ilir
Ibrahimi gjatë takimit me të parin e Qeverisë, tha se ata janë të kënaqur me
bashkëpunimin e tyre me Qeverinë e Kosovës. Ai tha se Oda Amerikane e inkurajon
Qeverinë që të vazhdojë me reformat fiskale.

“Është takimi i parë që e kemi këtë vit. Ne si Odë Amerikane e kemi potencuar publikisht që jemi të hapur për një dialog të hapur së bashku me institucionet. Gjatë vitit të kaluar ne kemi bërë disa deklarata publike. Ne inkurajojmë qeverinë që të vazhdojë me reformat fiskale, por reformat nuk janë të mjaftueshme asnjëherë. Një sfidë që kemi parë është fuqizimi i rendit të ligjit”, tha ai.

Burimi: http://www.ekonomiaonline.com