Gjykata Speciale apo gabimi i përmasave historike i deputetëve partiakë!

në kategorine Opinione

Këto ditë, nisi procesi i Gjykatës Speciale, me ftesa, marrje në pyetje dhe arrestime për krimet e supozuara të luftës. Një atmosferë tensioni është ngritur në publik ndërmjet atyre që e kundërshtuan dhe vazhdojnë ta kundërshtojnë formimin dhe mënyrën e funksionimit të saj, por edhe të atyre, që në një mënyrë apo tjetër i duartrokasin në heshtje formimit dhe funksionimit të saj.

Ndërmjet kësaj qëndron e keqja se ky institucion do të merret vetëm me krimet e supozuara, e të montuara të Beogradit, dhe nuk ka kompetenca të merret me krimet e njëmendta, që i bëri makineria policore-ushtarake serbe gjatë luftës në Kosovë?! Në këtë situatë shumëkush me të drejtë po pyet: Pse gjykatë për viktimën e jo për agresorin? Apo pse u lejua formimi i saj, i kësaj natyre,  nga institucionet e vendit, kur ka pasur mundësi, që diçka e tillë të formohet në vend, në kuadër të institucioneve gjyqësore, ku krimet e njëmendta, apo kalimi i kompetencave, të trajtoheshin për të gjithë  njësoj pa dallim etnie.

E para, një gabim të përmasave historike e bënë deputetet partiakë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të cilët të yshtur nga interesat personale dhe dëshira për karrierë, ngritën gishtat duke mos menduar fare për pasojat, që dalin nga ky proces për imazhin dhe luftën e drejt të Kosovës. Konsideroj, se veprimi i deputetëve, gjithsesi i shtyrë nga bosët e tyre partiakë, i bëri një dëm Kosovës, pasojat e të cilit do t’i shohim gjatë dhe pas përfundimit të procesit.

Ndërsa, arsyetimet që po rrjedhin nga deputetët partiakë se gjoja ishte një kusht i faktorit ndërkombëtar, nuk qëndrojnë. E vërteta qëndron se Gjykata Speciale erdhi pikërisht si pasojë e paaftësisë sonë për t’i kryer punët si shtet i pavarur. Sikur t’i kishim kryer ne obligimet tona shtetërore, atëherë edhe rastet e kësaj natyre do t’i kishim shqyrtuar  vet, në harmoni me të drejtën ligjore.

Fundja, një faktor ndërkombëtar është duke u marrë edhe me Serbinë, njësoj si me Kosovën. Pse asaj nuk ia vuri kushtin për një Gjykatë të tillë? Serbia me kohë formoi një dhomë të veçantë për këto raste në kuadër të gjyqësorit të saj dhe tash luan teatër. Kriminelët e shumtë serbë, që bënë krime në Kosovë, Bosnje e Kroaci, sillen të lirë nëpër Serbi, ose nëpër Evropë edhe me identitete të rrejshme dhe askush nuk i shqetëson.

Apo, ndoshta, përballë gjithë kësaj qëndron
shprehja: Kështu ndodhë kur njeriu edhe pa dijeninë e tij ia
bën gropën vetës.

Burimi: http://www.ekonomiaonline.com

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.