Vjosa Osmani thotë: “Limaj e Ahmeti dje e legjitimuan Thaçin, dhe i hapen rrugë pazareve të tij me kufijtë”

në kategorine Kosovë

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, thotë se Fatmir Limaj e Shpend Ahmeti nuk përfaqësojnë kurrfarë grupi të unitetit.

Sipas saj ata janë vetëm përfaqësues të 59 deputetëve të cilët tashmë e kanë legjitimuar Hashim Thaçin dhe i kanë hapur rrugë atij për pazaret me kufijtë e Kosovës.

Sipas Osmanit Limaj e Ahmeti nuk mund të pretendojnë se përfaqësojnë diçka tjetër, përveç se një ekip që përkrahë Hashim Thaçin.

“Kosova nuk ka krijuar një ekip të unitetit për dialogun, por 59 deputetë kanë krijuar një ekip mbështetës të presidentit.

Pra përderisa vetë BE e njeh këtë grup si ekip mbështetës të presidentit, ata nuk mund të pretendojnë se janë apo përfaqësojnë diçka tjetër”, ka thënë Osmani në një përgjigje për Gazetën Express.

Ajo i quan qesharake deklarimet e këtij grupi dialogues kur thonë se tashmë Kuvendi i Republikës së Kosovës drejton dialogun.

“Pretendimet e tyre se tani timoni i dialogut i takon Kuvendit janë qesharake, kur si krye ‘timonierë’ të këtij grupi mbështetës e legjitimues të Thaçit e kanë caktuar një kryetar komune dhe një zv.kryeministër”, shton deputetja e LDK-së.

Për takimin e djeshëm të Fatmir Limajt e Shpend Ahmetit në Bruksel me Mogherinin, Osmani thotë se s’ka çfarë të komentohet, përveç një fotografie përmes të cilës Limaj e Ahmeti do të kujtohen si legjitimues të Hashim Thaçit.

Osmani thotë se ky ekip i ka hapur rrugë Thaçit për vazhdimin e pazareve dhe negociatave për korrigjim të kufijve.

“Nuk i shte aty ndonjë përmbajtje që ja vlenë të komentohet. Më shumë një fotografi.

Një fotografi që qytetarët do ta mbajnë mend si ekip që legjitimoi Thaçin dhe hapi rrugën për vazhdimin e negociatave për korrigjim kufiri”, shprehet Osmani.

Deputetja e LDK-së thotë se roli dhe përfshirja e SHBA-së në dialog janë jetike për Republikën e Kosovës.

“Roli i SHBA-së në këtë drejtim është esencial dhe i pazëvendësueshëm.

Sa më i fuqishëm që të jetë involvimi i SHBA dhe i shteteve të fuqishme në BE (siç është Gjermania), aq më mirë do të jetë marrëveshja për Kosovën dhe për gjithë rajonin” potencon ajo.

Sipas saj ky dialog nuk ndihmon në forcimin e Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, prandaj Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të përfshihet në këtë proces, por vetëm do të luaj rol opozitar.

“LDK ka qenë pjesë e çdo procesi që kishte për qëllim fuqizimin e subjektiviteti ndërkombëtar të vendit.

Dialogu aktual, i cili konteston kufijtë e vendit tonë e rrjedhimisht edhe shtetësinë tonë, nuk fuqizon këtë subjektivitet.

Prandaj, në këto rrethana, ne bëjmë mbikëyqrje të fuqishme parlamentare si opozitë, që është roli që na kanë caktuar qytetarët”, ka shtuar deputetja e LDK-së.

Ajo thotë se marrëveshja gjithëpërfshirëse për normalizimin e plotë të raporteve Kosovë-Serbi do të arrihet kur të Kosova të ketë një qeveri përfaqësuese e me legjitimitet qytetar që arrinë unitet të vërtetë për një proces kaq të rëndësishëm sa dialogu me Serbinë.

Burimi: https://infokosova.org/

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.