Isa Mustafa: Mos e përgojoni opozitën, Edita Tahiri punonte sa krejt ju

në kategorine Kosovë

Kryetari i partisë më të madhe opozitare në vend, Isa Mustafa, e ka cilësuar si të parëndësishëm delegacionin kosovar që udhëtoi drejt Brukselit, i përfaqësuar nga Fatmir Limaj e Shpend Ahmeti.

Kreu i LDK-së ka thënë se më përpara punën e gjithë këtij delegacioni të madh në numër e ka kryer vetëm një ministre.

“Dje Kosova u përfaqësua në Bruksel nga një delegacion pa relevancë. Mos të flas për numrin.

Më parë, me kompetencë, një ministre e bënte punën e gjithë atyre që ishin në Bruksel”, ka shkruar ish-kryeministri Mustafa.

Ai, gjithashtu, ka thënë se LDK-ja e konsideron shumë serioze çështjen e dialogut, dhe sipas tij nuk mund të përfaqësohet nga njerëz pa legjitimitet të cilët nga Brukseli zgjedhin për të përgojuar Lidhjen Demokratike të Kosovës.

“Bashkëkryesuesit në deklaratat e tyre nga Brukseli u munduan t’i tregojnë Kosovës se kush janë.

Ata u morën me vetveten, jo me esencën e dialogut; u morën me taksën, pa dhënë përgjigje, dhe u morën me LDK-në

LDK konsideron se dialogu me Serbinë është çështje shumë serioze për Kosovën.

Një çështje serioze duhet të ketë qasje serioze dhe institucione që e përfaqësojnë me legjitimitet.

Jo njerëz që shkojnë në Bruksel për të përgojuar opozitën. Logjika dhe kultura evropiane nuk i kultivon dhe nuk i preferon sjelljet e tilla”, ka shtuar Mustafa.

Sipas tij, dialogun e Brukselit duhet ta udhëheqë një Qeveri e cila ka përkrahje të gjerë, dhe që ka unitet, në të kundërtën Mustafa paralajmëron se dikush tjetër do t’i nënshkruaj letrat, e partitë do të vazhdojnë të përplasen ndërmjet veti.

“Kosovën në Bruksel duhet ta përfaqësoj një Qeveri me përkrahje të gjerë, e cila për çështje të dialogut arrin të sigurojë unitet.

Ndryshe, të tjerët do na i bëjnë letrat e ne do të vazhdojmë të përplasemi ndërmjet veti”, është shprehur kreu i LDK-së.

Mustafa ndër të tjera në reagimin e tij, ka folur edhe për porosinë që ka marrë pala kosovare dje nga Brukseli për të hequr taksën.

“Ajo që dëgjuam, ishte se ata e morën një porosi të qartë.

Se duhet të kthehen në Kosovë ta heqin taksën, si parakusht për dialogun”, ka përfunduar Isa Mustafa.

Dje në Bruksel ka qëndruar delegacioni i Kosovës për bisedime me Serbinë, i kryesuar nga Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti.

Limaj për çështjen e taksës ka thënë se do ta heqin në rast të arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që si rezultat do të kishte njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës nga Serbia.

Ndërkohë, Shpend Ahmeti ka treguar se BE-ja mbështet çfarëdo marrëveshje për të cilën merren vesh Kosova dhe Serbia, megjithatë ai ka treguar se Bashkimi Evropian nuk përkrah krijimin e shteteve etnikisht të pastra.

Kritika ndaj delegacionit kosovar dje ka drejtuar edhe shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti.

Ai ka thënë se ky ka qenë përfaqësimi më i dobët që ka pasur ndonjëherë Kosova në dialogun e Brukselit. /GazetaExpress/

Burimi: https://infokosova.org/

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.