Fondacioni i Odës Amerikane dhuron pajisje për një shkollë profesionale në Lipjan

në kategorine Biznes/Ekonomi

Fondacioni i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë
i ka dhuruar Shkollës së Mesme Profesionale “Adem Gllavica” në Lipjan një
donacion në pajisje të teknologjisë së informacionit dhe orendi të tjera.

Donacioni përfshin kompjuterë desktopë,
karrige, si dhe një printer, ndërsa do të bëjë të mundur pajisjen elementare të
një laboratori për qëllime të ushtrimeve praktike nga lëndët e ndërmarrësisë
dhe ekonomisë.

Me rastin e dhurimit të donacionit, drejtori
ekzekutiv i Odës Amerikane Arian Zeka tha se iniciativat si këto kanë për
qëllim përmirësimin e kushteve për nxënësit e shkollave kosovare me qëllim të
përgatitjes më të mirë të tyre për tregun e punës, ndërsa falë mbështetjes së
vazhdueshme të anëtarëve të Odës Amerikane, përkrahja e tillë do të vazhdojë
përgjatë tërë vitit 2019.

Kësaj iniciative të Odës Amerikane i janë
bashkuar edhe kompanitë IPKO, Meridian, Coca Cola HBC, Limak-Aeroporti
Ndërkombëtar i Prishtinës, Gjirafa, Klinika Amerikane, NLB Bank, Railtrans dhe
Orbi-Co.

Fondacioni i Odës Amerikane funksionon nga viti
2012, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e mjeteve të këtij Fondacioni dhurohen
për qëllime të edukimit të të rinjve, posaçërisht të atyre në viset rurale të
Kosovës.

Burimi: http://www.ekonomiaonline.com

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.