Sa ka ndryshuar jeta e “djalit të akullt” për një vit që kur bëri famë (FOTO)

në kategorine Stardust

Fotografi të një nxënësi me flokë të ngrirë e duar të ënjtura nga të ftohtit kishin nxitur reagim të madh në rrjete sociale në Kinë, në janarin e vitit 2018 kur ishin postuar nga mësuesi i tij.

I njohur si “djali i akullt” nga përdoruesit e rrjeteve sociale, Wang, atë kohë tetë vjeçar, kishte ecur 4.5 kilometra për të shkuar në shkollën e tij në provincën Yunnan.

Vendosmëria e tij për të mos ndalur shkollimin pavarësisht kushteve të vështira dhe performanca në mësime, kishte marrë mbështetje të madhe online.

Tani nëntëvjeçar, shumë gjëra kanë ndërruar për Wangun në 12 muajt e fundit, dhe tani nuk ka nevojë të udhëtojë me kilometra për të shkuar në shkollë, sipas “People’s Daily”.

Wang dhe familja e tij janë larguar nga vendi ku jetonin dhe babai i tij, Wang Gangkui, ka thënë se jetën e kanë shumë më të mirë.

Edhe shkolla e Wangut ka përfituar nga investimet.

Tashmë nëpër klasa është instaluar rrjeti i ngrohjes, teksa është ndërtuar edhe një konvikt për fëmijët që jetojnë larg shkollës.

“Wang është nxënës i dalluar dhe ka raport të mirë me shokët e klasës. E gjithë vëmendja ka bërë që nxënësit të ndiejnë çudinë e botës dhe idetë e tyre kanë ndryshuar shumë”, ka thënë zëvendësdrejtori i shkollës Fu Heng. Ai ka shtuar se tani fëmijët po mendojnë vazhdimisht për jetë më të mirë në të ardhmen.

Ndërsa ëndrra e Wangut mbetet e njëjtë. Ai vazhdon të ëndërrojë pozitën e policit “që të ndalë të këqijtë”.

Më shumë se 3000 përdorues të rrjetit social të famshëm në Kinë, Weibo, kanë reaguar një vit pas fotografive duke u shprehur të lumtur që Wangu ka jetë më të mirë.