Ëndrra e realizuar e Arditës: puna në kullën e lartë 126 metra

në kategorine Diaspora

Ardita Bunjaku punon si analiste e tatimeve në njërën prej kompanive më të mëdha ndërkombëtare, selia e së cilës për Zvicër është në ndërtesën më të lartë të Zvicrës, në Prime Tower të Cyrihut

E Premte, 4 Janar 2019 – 16:00
Alban Hamza

Me 126 metra dhe 36 kate, Prime Tower në Cyrih, është njëra ndër ndërtesat më të larta të Zvicrës. Dizajni i saj është konceptuar në atë mënyrë që rezulton një kombinim interesant i modernes dhe historisë. Të gjitha katet e sipërme, e posaqërisht Café-bari-I në katin më të lartë, ofron një pamje panoramike të Cyrihut.

Ishte viti 2014 kur Ardita Bunjaku kishte vizituar Cyrihun. Si pjesë e vizitave të saj ishte edhe Prime Tower. E mahnitur me dizajnin, si dhe pamjen që ofronte Bar-I nga lartë, asaj po ashtu i kishte rënë në sy lista e kompanive prestigjioze që zhvillojnë aktivitetin e tyre në këtë ndërtesë.

Edhe Ardita, si cçdo kush tjetër, do të ngazëllehej vetëm me idenë për të punuar në një ndërtesë të tillë, në njërën nga këto kompani.

E lindur në Prishtinë, por si fëmijë dy vjeçe emigron me familjen në Britaninë e madhe, ku dhe kalon pjesën tjetër të jetës deri në moshën 25 vjeçare.

Inovatore dhe me prirje menaxheriale

Gjatë shkollimit, tek Ardita dukej e qartë prirja e saj për numrat e llogaritjet, kështu që vendimi për të studiuar për Ekonomi Biznesi në Londër, ishte një vendim jo i vështirë për të.

“Gjatë studimeve, ishte e qartë se përvoja e punës ishte po aq e rëndësishme sa edhe përfundimi i një drejtimi akademik” thotë ajo, përderisa pas disa aplikimeve fiton vendin e saj të parë të punës në HSBC, një bankë ndërkombëtare, ku fillimisht punon si zyrtare e kredisë, ku klientët e saj ishin kompani me qarkullime të mëdha vjetore.

Aty fillojnë edhe sukseset e para. Pas vetëm 9 muajsh ajo nominohet si punëtorja më e mirë, gjë që i mundëson edhe trajnimin nga ana e saj të kolegëve të saj të punës, e që po ashtu ishte një nivel tjetër i përgjegjësisë. Po ashtu nga menaxherët e saj ajo përshkruhej edhe si shumë inovatore, natyrale e me aspirate menaxheriale.

Pasi tashmë kishte vizituar Cyrihun, e mahnitur nga ambienti i bukur që e rrethon, dhe nga stili i lartë i jetës që ofron ky qytet, Ardita, synon më lartë, duke aplikuar në kompani të ndryshme të Cyrihut për ndonjë vend pune.

Ëndrra për të punuar në Prime Tower të Cyrihut, bëhet realitet

Ndodhi që Ardita dhe Prime Tower të takohen prapë. Por kësaj radhe ajo vinte aty si analiste e tatimeve një nga bankat më të mëdha ndërkombëtare, selia e së cilës për Zvicër ishte pikërisht aty.

“Ajo që për mua dikur ishte vetëm një ëndërr, dalngadalë u kthye në realitet” shprehet Ardita, duke bërë kështu që studimet dhe përvoja e saj në Britani të shpaguhet.

Edhe këtu shpejt dallohet përkushtimi dhe zotësia e saj në punë, për çfarë emërohet si bashkë koordinatore e një ekipi prej 4 vetash. Ndërsa tash, si pjesë e një ekipi prej 12 vetash, është duke bërë specializimin në tregti dhe tatime të kompanive amerikane, gjë që padyshim do të shënojë edhe një hap tutje në karrierën e saj.

Duke punuar në një ambient multikulturor, pos punës zhvillon edhe shumë aktivitete të tjera bashkë me ekipin e saj. Por ajo ende nuk është ngopur me pamjen e Cyrihut që e sheh çdo ditë nga tavolina e punës në Prime Tower, e që e eksiton çdo ditë. Por, për të arriturat e saj të deritashme ajo padyshim se i detyrohet vetëvendosjes së saj, përkushtimit dhe punës së madhe, si dhe përvojës në të kaluarën.

 

Studioni! Mundimet shpaguhen një ditë

Ardita me këtë rast ka edhe një porosi për të rinjtë në Zvicër. Sipas saj, shumë nga ta nuk e shfrytëzojnë potencialin e tyre të plotë, për të përfituar nga të mirat që ky shtet mund të ofrojë. Dikujt mund t`i duket si një rrugëtim i gjatë, gjatë të cilit ndonjëherë puna dhe studimi humbin kuptimin një një pikë, por Ardita insiston se një ditë të gjitha shpaguhen…

 

Burimi: https://www.albinfo.ch

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.