UT ndjek nga afër protestën e studentëve

në kategorine Maqedoni

Duke pasur në konsideratë mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave studentore të Universitetit të Tetovës, por edhe të mbarë rinisë studentore në Republikën e Maqedonisë, si dhe në frymën e informimit të drejtë të opinionit publik, udhëheqësia e Universitetit të Tetovës e ndjek nga afër artikulimin e zërit studentor, i cili është një premisë e shëndoshë për rrjedhat e përgjithshme të proceseve shoqërore.

Universiteti i Tetovës kurrë nuk ka hezituar dhe nuk do të hezitojë ta dëgjojë zërin studentor dhe të reflektojë për të mirën e studentëve dhe mbarë shoqërisë. Deri më sot, ne i kemi vënë të gjitha mekanizmat, me të cilat disponojmë në frymën e kësaj filozofie, të trasuar nga rinia shqiptare dhe populli ynë fisnik përgjatë periudhave më të errëta historike për kombin tonë, i cili, si asnjë popull tjetër në historinë botërore, ka ndarë bukën e gojës dhe ka sakrifikuar qenien e vet, që edhe shqiptarët e Maqedonisë të mund të shkollohen në gjuhën e vet amtare dhe me këtë, të vihen themelet e mirëqenies së gjithëmbarshme shoqërore dhe kombëtare.

Për çdo shqetësim studentor, për aq sa kemi pasur ankesa të bazuara dhe të qëndruara, ne gjithmonë kemi marrë masat e duhura dhe do të jemi gjithmonë të gatshëm t’i qëndrojmë fisnik këtij parimi human, etik dhe ligjor. Universiteti i Tetovës është i popullit dhe rinisë studentore dhe nuk guxon të bëhet tabelë qitjeje e askujt, aq më pak, e grupeve të caktuara të interesit. Çdo shqetësim, pakënaqësi apo revoltë duhet të zgjidhet institucionalisht, qoftë ajo individuale apo kolektive.

Ne si udhëheqësi e Universitetit, duke i marrë për bazë këto parametra, që përkojnë me misionin tonë, por edhe me sakrificën shekullore të popullit shqiptar të trevave tona, i vëmë në dijeni studentët e Universitetit të Tetovës se dyert e këtij projekti madhor kombëtar, janë gjithmonë të hapura për ta dhe se profesorati, organet dhe udhëheqësia e Universitetit janë në shërbimin e tyre permanent.

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.