(VIDEO) Reportazh: “SHQIPTAR, EJANI E BLINI SHTËPI NË MANASTIR”

në kategorine Maqedoni

Ata thonë se do të vazhdojnë të jenë gardian për këtë trashëgimi kulturore e historike për ne dhe nëse nuk do të ishte kjo ditë, “atëherë ne shqiptarët do të ishim të shpërndarë ashtu siç ishim para vitit 1900”

Valmir Kuçi

Si shqiptarë të jetosh në Manastir, është shumë vështirë pasi ne jemi të lënë pas dore. Por, nuk mund të themi se nuk ekzistojmë, ekzistojmë dhe do të mundohemi që edhe më tutje çdo gjë që është e jona të mbetet e jona.

Kështu shprehet Ramiz Asllani, qytetar i Manastirit, pas një reportazhi që Medial.mk bëri në qytetin e Alfabetit, derisa sot shqiptarët festojnë 110 vjetorin e Kongresit të Manastirit. Ata thonë se do të vazhdojnë të jenë gardian për këtë trashëgimi kulturore e historike për ne dhe nëse nuk do të ishte kjo ditë, “atëherë ne shqiptarët do të ishim të shpërndarë ashtu siç ishim para vitit 1900”.

Pra, ata mburren më këtë histori, prandaj edhe kanë një porosi të qartë, “që të mos harrohet Manastiri”.

“Mendoj se jo vetëm shqiptarët e Manastirit e të Maqedonisë, por shqiptarët e të gjitha trevave ku jetojnë, në Kosovë e Shqipëri të vijnë e të na vizitojnë, ta mësojnë se ku është krijuar Alfabeti jonë, ato shkronja me të cilat ne sot shërbehemi dhe merremi vesh njëri me tjetrin. Kjo shtëpi ka rëndësinë më të madhe për të gjithë shqiptarët, do të përmendi Manastirin, Prizrenin dhe Vlorën, këto janë tre vendet kryesore, shqiptarët mund të mburren me këto tre qytete, prandaj mos e harroni Manastirin”,thotë Asllani.

Medial.mk: “Jemi pikërisht pranë shtëpisë muze, shtëpisë një nga më të rëndësishmet për të gjithë shqiptarët pasi këtu u vendos fati i shkronjave tona që sot e kësaj dite i përdorim. Çfarë do të thotë të jesh shqiptar i Manastirit, a mburreni me këtë histori?

“Me këtë shtëpi neve edhe sot e 1 mijë vjet jemi të gjallë. Sot për sot ndodhemi mirë, pasi derisa ju kemi juve andej, ne jemi mirë”, thotë Bajram Klenja, qytetar i Manastirit.

Medial.mk: Shqiptarët e Manastirit a do të vazhdojnë të jenë gardian, a do të vazhdojnë të kujdesen për këtë trashëgimi kulturore e historike për ne?

“Këtu aq jemi ne të njëjtë e bashkë, të tërë e lëshuan vendin, ashtu si na ngjau neve gjatë historisë, por ne thamë jo, ne prej këtu nuk lëvizim. Unë gjatë vitit 2001 vura themelin e shtëpisë, më thoshin shih shtëpitë e djegura, e ti po bënë shtëpinë, mirë ama pas çdo të keqe ka edhe të mirë, andaj dua të them se ne kemi vendosur që këtu të vdesim”, shton Klenja.

“SHQIPTAR, EJANI E BLINI SHTËPI NË MANASTIR”, t’ia kthejmë shkëlqimin që ka pasur dikur, është porosia e mësuesit Izet Jusufi, nga qyteti i Alfabetit shqip. 

“Nëse nuk do të ishte kjo ditë atëherë ne shqiptarët do të ishim të shpërndarë ashtu siç ishim para vitit 1900. Manastirin shqiptarët tjerë nga Maqedonia e gjetiu e duan vetëm në këtë ditë, neve të tjerët mbetemi në Manastir, ne vazhdojmë të jetojmë këtu. Nuk mundemi t’i lëshojmë këto treva, pasi aty është ardhmëria e të gjithë neve, por shteti shumë pak punon për ne. Nëse nuk mbetemi ne si pakicë që jemi prej 3 mijë apo 4 mijë banorëve, atëherë edhe kjo që shikoni sot nuk do të mbetet aty”, shprehet mësuesi Jusufi.

Medial.mk: “Ju bëni ftesë shqiptarëve anembanë ku jetojnë që të vijnë të vizitojnë e frekuentojnë Manastirin, jo vetëm në Nëntor por gjatë tërë vitit”?

“Po, por jo vetëm të vizitojnë. Manastiri prej një qyteti me 100 mijë banorë tash ka vetëm 50 mijë, ka shtëpi të zbrazura, urdhëroni shqiptarë, mbusheni qytetin ashtu siç ka qenë dikur…”, shton mësues Jusufi.

Evdal Roçi, banor i Manastirit thotë se ditëlindja e shkronjës shqipe nuk është vetëm për shqiptarët e Manastirit, por për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë dhe nuk do të thotë që kjo datë të festohet vetëm me 22 nëntor, por çdo ditë, çdo javë, muaj, e çdo vit, kur të vijnë në Manastir, të vizitojnë Shtëpinë e Kongresit.

“Ne kemi qenë dhe do të mbesim gardian të shqiptarisë, është lehtë të jesh shqiptar në Tiranë, Prishtinë e Shkup, këtu le të vijë se sa shqiptarë janë, në Manastir. Ne do të mbesim këtu”, thekson Roçi.

“110 vite më parë në këtë shtëpi këtu prapa meje në Manastir, rilindësit tanë mbrojtën identitetin kombëtar. Ata u bënë bashkë, themeluan 36 shkronjat e alfabetit tonë të cilat pothuajse tashmë më shumë se 1 shekull vazhdojnë t’i përdorin shqiptarët anembanë globit ku jetojnë. Me vetë faktin se rilindësit vendosën që në alfabetin tonë të përdorin shkronjat latine, ata dhanë sinjal që aso kohe, se shqiptarët kudo që janë, janë pro orientimit evropian, janë perëndimorë dhe vendin gjithmonë do ta kenë atje.”

(LIVE) “SHQIPTAR, EJANI E BLINI SHTËPI NË MANASTIR”, t’ia kthejmë shkëlqimin që ka pasur dikur, është porosia e mësuesit Izet Jusufi, nga qyteti i Alfabetit shqip.

(LIVE) “SHQIPTAR, EJANI E BLINI SHTËPI NË MANASTIR”, t’ia kthejmë shkëlqimin që ka pasur dikur, është porosia e mësuesit Izet Jusufi, nga qyteti i Alfabetit shqip.

Publiée par Medial.mk sur Jeudi 22 novembre 2018