Gruevski nuk shkoi në burg, nesër seanca për marrjen e mandatit

në kategorine Maqedoni

Edhe pse sot ishte dita kur Drejtoria për ekzekutimin e sanksioneve e urdhëroi Nikolla Gruevskin që të paraqitet në burgun e Shutkës, për të vuajtur dënimin prej 2 vitesh burgim, Nikolla Gruevski ende shfrytëzon të gjitha afatet e mundshme ligjore për ankesë dhe shtyerje të burgut. Edhe pse këtë javë duhej të merrej vesh përfundimisht nëse Këshilli Penal do t’ia pranojë Gruevskit kërkesën për shtyerje të burgut, afati prej tre ditësh pune në fakt ka filluar prej sot pasi llogaritja e afatit tre ditor fillon prej momentit kur ankesa do të arrijë në adresë të Këshillit.

Të gjithë avokatët e Gruevskit një nga një kishin dorëzuar kërkesa për prolongim dhe së bashku me to, kërkesë personale kishte dorëzuar edhe Nikolla Gruevski. Tani sipas llogaritjeve, afati i ri deri kur duhet të sillet vendimi i Këshillit Penal, është dita e hënë.

Dje në Komisionin për mandate, shumica e deputetëve vendosën për marrjen e mandatit të kolegut të tyre Nikolla Gruevskit, por fjalën e fundit e kanë deputetët në seancë plenare.

Sipas kalendarit të Kuvendit, në seancën e nesërme plenare është vendosur pika e shkarkimit të Nikolla Gruevskit nga posti i deputetit, por gjasat që ky propozim të kalojë janë shumë të vogla, për shkak se duhet të mblidhen 80 vota deputetësh. 80 vota në seancë plenare mund të mblidhen vetëm nëse votojnë edhe deputetët e VMRO DPMNE-së që deri tani në publik janë deklaruar se do të votojnë kundër marrjes së mandatit të Gruevskit.

Deputetët e VMRO DPMNE-së që janë pjesë e komisionit për çështje mandatesh, dje lëshuan seancën në shenjë proteste për kërkesën e shkarkimit. Por para këtij gjesti, nuk lëshuan mundësinë t’i kujtojnë deputetët e pushtetit se po bëjnë shumë veprime të gabuara antikushtetuese dhe se shumë bashkëpartiakëve të tyre, gjykata po u bën përndjekje politike me porosi.

Procedura në Parlament dhe procedura para gjykatave po shkon në mënyrë paralele. Pasi të mbarojë procedura e prolongimit të burgut, materialet e lëndës do të shkojnë tek Gjykata Supreme e cila mund të bëjë kthesë në gjithë këtë rast.

Ish-kryeministri është dënuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë kohës që ishte kryeministër për blerjen e Mercedesit luksoz me vlerë prej më shumë se gjysmë milion euro./ShenjaTV/

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.