Si ia mbylli Prokuroria rastin me drogë djalit të Prokurorit Special Haki Gecaj

në kategorine Kosovë

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” kësaj radhe transmetoi hulumtimin ekskluziv që tregoi se si iu mbyll rasti djalit të prokurorit special Haki Gecaj, i cilit ishte kapur me drogë.

Hulumtimi solli fakte dhe dëshmi për mënyrën se si prokurori e shtetit i trajton rastet kur të dyshuar janë familjarë të prokurorëve.

Gjetjet treguan se si mbrëmjen e 10 nëntorit të vitit 2014-të një patrullë policore kishte ndaluar një makinë në dalje të Prishtinës, saktësisht në vendin e njohur si “Rrethi i Flamurit”. Gjatë bastisjes Policia kishte zbuluar një sasi droge prej 1.85 gramë marihuanë te Valdrin Gecaj, djali i prokurorit special Haki Gecaj dhe tek shoku i djalit të tij.

Detajet e hulumtimit treguan se si e ka arsyetuar prokurorja Arbëresha Shala – Raqa mbylljen e rastit të djalit të kolegut të saj prokuror, duke u thirrur në disa nene të Kodit Penal dhe atij të Procedurës Penale, edhe pasi Valdrin Gecaj e kishte pranuar se ishte zënë me drogë.

Siç transmetoi “Drejtësia në Kosovë”, edhe pse djali i prokurorit Haki Gecaj dhe shoku i tij e kishin pranuar fajësinë se kanë pasur drogë, prokurorja kishte vendosur që t`i lironte nga ndjekja penale.

Hulumtimi tregoi se në aktvendimin për pushimin e rastit, prokurorja Arbëresha Shala, kishte shkruar se të dyshuarit janë penduar thellë për veprimin e tyre dhe kjo ishte njëra nga arsyet që prokurorja e kishte mbyllur rastin.

Siç dëshmoi hulumtimi, prokurorja Shala nuk kishte pranuar të intervistohet nga ekipi I “Drejtësia në Kosovë”. Por në një përgjigje të saj që emisioni ka pranuar përmes zëdhënësit të Prokurorisë së Shtetit, prokurorja Shala ishte kujdesur që të njëjtën  përgjigje t`ia dërgonte edhe kolegut të saj Haki Gecaj, djalit të të cilit ia kishte mbyllur rastin e drogës.

As prokurori Haki Gecaj siç transmetoi emisioni nuk kishte pranuar që të intervistohej, madje ai kishte kërkuar nga ekipi i “Drejtësia në Kosovë” që të mos merreshin fare me rastin e djalit të tij me arsyetimin se ishte zënë me sasi të vogël të drogës dhe se kanë kaluar vite.

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.