20 vjetori i Marrëveshjes së Ohrit, krerët shtetëror vlerësojnë lartë arritjet pas nënshkrimit
Shkup, 13 gusht – Sot mbushen 20 vjet nga nënshkrimi Marrëveshjes Kornizë të Ohrit në mes shqiptarëve dhe maqedonasve për raporte të reja shoqëroro-politike dhe ndërtimin e mëtutjeshëm të shtetit.
Kjo marrëveshje u bë me asistimin e Bashkësisë Ndërkombëtare pas një konflikti të armatosur, i cili ndodhi në vitin 2001.
Kjo marrëveshje kornizë ndër të tjerash u nënshkrua me qëllim të promovimit të zhvillimit të qetë dhe harmonik të shoqërisë qytetare, duke respektuar njëkohësisht identitetin etnik dhe interesat e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë.
U nënshkrua nga kryetari i atëhershëm i Maqedonisë, Boris Trajkovski, kryeministri i atëhershëm, Lubço Georgievski, liderët e LSDM-së Branko Cërvenkovski, të PPD-së, Imer Imeri dhe ai i PDSH-së, Arbën Xhaferi.
Sot më 13 gusht 2021, në shënimin e 20 vjetorit të marrëveshjes, në Shkup u mbajt konferencë ku morën pjesë aktorë të rëndësishëm politik vendor dhe të jashtëm.
I ftuar ishte Lordi George Robertson nga SHBA-të. Ai në fjalimin e tij u shpreh se Marrëveshja Kornizë e Ohrit ishte dhe mbetet një lëvizje dhe një vendim inteligjent në historinë më të re të republikës së Maqedonisë së Veriut.
“Sot këtu në Shkup, kur kujtojmë 13 gushtin e vitit 2001, të gjithë ne duhet të jemi falënderues, por edhe më tepër se aq. Kjo marrëveshje nuk na u dha neve si providencë (ndihmë), është dashur një angazhim i fuqishëm dhe akoma duhet, nuk ishte një mbarim por ishte një fillim, një lëvizje dhe vendim inteligjent në historinë e popullit tuaj. Duhet kushtuar vëmendje sistematike mbi themelet që kanë dalë nga kjo marrëveshje, të përforcohen të njëjtat dhe sistematikisht të rifreskohen nëse suksesi i saj dëshirojmë të jetë permanent”, deklaroi Lord Robertson.
Fjalim pati edhe presidenti i vendit, Stevo Pendarovski.
Sipas tij, marrëveshja duhet të jetë rrezon për zhvillimn dhe jo pengesën e vendit tonë. Ai vlerëson se në vitin 2005, statusin e kandidatit për në BE Maqedonia e fitoi pikërisht për zbatimin e marrëveshjes kornizë.
“Ndër vitesh një fjali të rëndësishme të Marrëveshjes, ngadalë e kemi harruar. Në preambulën e saj, ku sqarohet se pse është arritur, qartë thuhet se bëhet fjalë për Marrëveshje kornizë për ardhmërinë e demokracisë së Maqedonisë, por edhe për zhvillim të raporteve të integruara me shoqërinë euro-atlantike. Për këtë, në vitin 2005 kemi edhe vërtetim praktik. Statusin e kandidatit për Bashkimin Evropian e fituam para se gjithash për zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit”, tha Pendarovski.
Por porositi se vendit i duhet koncept i ri politik, pasi siç tha, jemi mjaftueshëm larg Ohrit që të ndjejmë efektin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.
“Nuk kam dilemë se vendit nuk i duhet koncept politik i ri brenda dhe jashtë, sepse i vjetri është etabluar në vitin 1991 dhe pas 2001 ofron potencial për zhvillim”.
“Mjaftueshëm jemi larg Ohrit që ta dimë rëndësinë dhe efektin praktik të zbatimit të tij. Ku ishim para 20 vjetësh dhe ku jemi tani?”, pyeti Pendarovski.
Për marrëveshjen e Ohrit foli gjithashtu edhe kryeministri i vendit, Zoran Zaev.
“Shënojmë një përvjetor të rëndësishëm të marrëveshjes me të cilën ishte siguruar e ardhmja e qetë dhe ndërtimi i mëtutjeshëm demokratik i Maqedonisë së Veriut me pjesëmarrje të njëjtë të të gjitha bashkësive të saja etnike. Marrëveshja i vendosi themelet në bazë të të cilave ne si qeveri e posaformuar në vitin 2017 e ndërtojmë shoqërinë tonë të përbashkët – një dhe të barabartë, duke i përfshirë dhe duke i respektuar njëjtë të gjitha identitetet dhe interesat etnikë të të gjithë qytetarëve të cilët jetojnë këtu”, u shpreh Zaev.
Pas Ohrit, theksoi Zaevi, vendi ynë ndërton politika të pjekura, dhe në vend se për konflikte bisedojmë për progres ekonomik në vendin tonë dhe avancimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, ndërsa bashkë me fqinjët tanë krijojmë Ballkan të Hapur.
“Pas Ohrit të gjithë bashkë, pa dallim të përkatësisë sonë etnike, kombëtare, fetare, sociale dhe kulturore ndërtuam një shoqëri të njëjtë ku secili mund të gjejë prosperitet dhe të ardhme më të mirë. Më vjen mirë, që pas 20 viteve diskutojmë për të gjitha këto përfitime. Një nga përfitimet më të rëndësishme është se nëpërmjet dialogut e organizojmë jetën, bashkë duke iu përkushtuar secilit individ, familje dhe qytetari”, deklaroi Zaevi.
Në vitin 2017, theksoi Zaevi, prioritet yni ishte që t’i japim jetë Marrëveshjes dhe e miratuam ligjin për përdorimin e gjuhëve, me çka u rrumbullakuan dispozitat nga Marrëveshja e Ohrit.
“Marrëveshja e Ohrit i tha fund konfliktit, i cili për fat të keq mori edhe viktima, por nga kjo distancë mundemi lirshëm të themi se është garanci e paqes, të cilën më vonë e shpërblyem dhe avancuam, duke krijuar bashkësi në të cilën qytetarët kanë bashkëjetesë dhe respektim të ndërsjellë dhe tolerancë. Bashkësi në të cilën qytetarët kanë vizione të njëjta ose të ngjashme për një të nesërme më të mirë. Maqedonia e Veriut është mozaik i shkëlqyer i bashkësive etnike dhe bashkësive të tjera dhe dallimeve”, theksoi kryetari i Qeverisë.
Nga ana tjetër kryeparlamentari Talat Xhaferi, u shpreh se Marrëveshja e Ohrit ka vendosur rregullat e reja të kohezionit shoqëror dhe funksionimit më të mirë ndëretnik, i cili ishte themeli më i fortë dhe më solid mbi të cilin e transformuam dukshëm shoqërinë tonë multietnike, multikonfesionale dhe multikulturore.
Sipas tij, MO e ndryshoi të ardhmen e vendit tonë, njëherazi ishte edhe udhërrëfyesi ynë më i mirë për sigurimin e stabilitetit, qëndrueshmërisë dhe dialogut konstruktiv, ishte edhe sfidë në vete, e cila mundësoi që Republika e Maqedonisë së Veriut të jetë një storje suksesi e cila është shembull, jo vetëm në vendin tonë, por edhe më gjerë.
“Qëndruam fortë dhe siç thashë, u transformuam si shoqëri, maturuam si politikanë, si qytetarë, na u hapën horizontet dhe arritëm të shohim pikturën e madhe, para të cilës qëndrojmë bashkë të gjithë, me një qëllim të përbashkët të qartë para nesh – dhe ky është, Republika e Maqedonisë së Veriut të jetë rrëfim i suksesshëm për një demokraci parlamentare të avancuar, bashkëkohore, tani më vend-anëtar i plotfuqishëm i NATO-s, me shpresë së shpejti edhe anëtar i familjes së madhe evropiane, por mbi të gjitha, shtëpi e të gjithë pjesëtarëve të bashkësive të ndryshme etnike, fetare, kulturore, shtëpi e të gjithë qytetarëve! Në këtë rrugëtim, kemi mbështetjen e parezervë nga miqtë dhe partnerët tanë strategjik ndërkombëtarë të cilët ishin pranë nesh dhe e ndihmuan konceptimin dhe arritjen e paqes me një dialog politik të hapur dhe të drejtpërdrejtë, dhe janë pranë nesh edhe tani kur i gëzojmë rezultatet e domosdoshmërisë, fuqisë dhe efektivitetit të Marrëveshjes së Ohrit”, tha Xhaferi.
T’i respektojmë marrëveshjet e arritura, të arrijmë që komunitetit në këtë shtet të jenë zot të fateve të tyre, të mos na pengojë as gjuha, as kultura e tjetrit. Çdo avancim i gjuhës dhe kulturës së tjetrit është përparim i shtetit. Sa më lojal të jetë shteti ndaj qytetarëve aq më lojal janë qytetarët në shtet. Kemi edhe shumë për të bërë dhe do të bëjmë.
Kjo ka qenë porosia të cilën lideri i BDI-së Ali Ahmeti e dërgoi në konferencën e sotme në temë “Pas Ohrit” me rastin e 20 vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit.
“Implementimi dhe zbatimi i plotë i Marrëveshjes kornizë, Marrëveshjes së Prespës dhe Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë të zbatohen nga pika në pikë dhe të gjitha detyrimet dhe të jemi të pa kompromis në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Ne Evropën e kemi afër në prag, por detyrat duhet t’i bëjmë vetë ne. Ne jemi vend anëtar i NATO-s, ne duhet ta fshihmë në kokat tona atë autonominë klasike ose pavarësi. Nuk ka autonomi klasike ose pavarësi kur hyn në aleancë dhe partneritet me BE-në dhe duhet t’i zbatosh normat, rregullat. Sa je i vogël tani bëhesh po aq i madh! Ne tani jemi njëjtë si më të mëdhenjtë në NATO, pra ne duhet të vendosim standarde të NATO-s, pasi ne kemi kërkuar të bëhemi anëtare e NATO-s. Jam i sigurt se mund të arrijmë”, ka thënë Ahmeti.
Në fjalimin e tij ai rikujtoi se të gjitha kërkesat tona, u shpërblyen me burgje, vrasje, reprezalje, arratisje. Lindi pluralizmi në vitet e ’90, pikërisht siç tha, “si drejtues të lëvizjes studentore tanimë kishim ndërtuar edhe një organizatë politike, edhe me një organ, me një gazetë, e vetmja gazetë opozitare në Jugosllavinë e atëhershme, e vetmja organizatë opozitare që kërkonte drejtësi, barazi, demokraci për të gjithë popujt, por në pamundësi ishte për të vepruar legalisht”.
“Kërkesat tona atëherë u mbytën me hekur e me gjak, u burgosën me qindra studentë me mijëra, asokohe ne bëmë edhe një kërkesë që të shkollohemi në vendin tonë, në Shkup të hapet universiteti në gjuhën amtare shqipe. Shpërblimi ishte në hetuesi, deri në alivanosje nga torturat pse kemi kërkuar hapjen e universitetit në gjuhën shqipe dhe atë nuk e bëmë fshehurazi, iu drejtuam të gjitha institucioneve të shtetit, nga kryetari i lidhjes komuniste asokohe, kryetari i kuvendit e kështu me radhë”, tha Ahmeti.
Sipas tij, nuk ka mund ta ndalë askush këtë lëvizje të 2001, por çështja ishte që drejtimi duhej të ishte mirë.
“Të parët që vunë kontakt me mua, shumë biseda edhe të forta ishte ambasadori i NATO-s, i moshuar gati nga darka deri në agim kanë bërë përpjekje unë për të bind ata, ata për të më bind mua që jemi në të drejtë. Ishin oficerë amerikan të cilët kishin njohje me luftën e Kosovës që kishin njohuri mbi të gjitha zhvillimet. Gjërat shkonin gjithnjë e më tepër duke u tensionuar dhe veçmë palët po rreshtoheshin në pozicione frontale. Jam shumë i sigurt se të gjitha këto takime raportoheshin në qendrën e NATO-s, tek sekretari i përgjithshëm, raportoheshin tek qendra e BE-së në Bruksel, z. Solana, raportoheshin në Uashington presidenti Bush”, tha Ahmeti.