20 aktivitete me Maqedoninë e Veriut u përfshinë në planin grek për diplomaci

Shkup, 27 maj – Plani Strategjik Kombëtar për Diplomaci Ekonomike dhe Ekstrovert për vitin 2022 i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë, i cili u prezantua në Athinë, përfshin gjithsej 669 aktivitete në mbarë botën, prej të cilave 58 janë në Ballkanin Perëndimor dhe 20 në Maqedoninë e Veriut, njofton korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Plani kombëtar ka qëllime specifike për çdo rajon gjeografik, me aktivitete specifike dhe konkrete në zona të ndryshme dhe u prezantua nga Ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias, Zëvendësministri i Jashtëm për Diplomacinë Ekonomike, Kostas Frankojanis dhe Sekretari i përgjithshëm në MPJ-në greke dhe kryetar i ndërmarrjes „Enterprise Greece”, Joanis Smirlis.
Nga 58 aktivitetet e planifikuara për Ballkanin Perëndimor, shumica (20) janë me Maqedoninë e Veriut, 13 me Shqipërinë, dhjetë me Serbinë, tetë me Bosnjë dhe Hercegovinën, pesë me Kosovën dhe dy me Malin e Zi.
Në pajtim me Planin nacional strategjik për diplomaci ekonomike dhe ekstrovecë për 2022, që është thuajse 100 faqe, lidhur me Maqedoninë e Veriut, siç transmeton MIA, gjashtë prej aktiviteteve kanë të bëjnë me marrëdhëniet bilaterale, pesë me transportin dhe zinxhirin e furnizimit, tre kanë të bëjnë me eksportin, nga dy me energjetikën dhe ndihmën zhvillimore dhe nga një me teknologjinë dhe turizmin.
Një pjesë e aktiviteteve janë në vijim e sipër ndërsa një pjesë janë planifikuar për vitin 2022.
Në fushën e energjetikës janë ndërtimi i interkonektuesit për gazin natyror ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, aktivitet i planifikuar në periudhën 2016-2023, si dhe rikomisionimi i gazsjellësit, aktivitet ky që është në vazhdim.
Shumë aktivitete, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me eksportin, teknologjinë dhe turizmin janë nën juridiksionin e Zyrës për Çështje ekonomike dhe tregtare pranë Ambasadës greke në Shkup, dhe ato që kanë të bëjnë me marrëdhëniet dypalëshe janë nën juridiksionin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë.
Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias tha se theksi ishte në çështjet e energjetike, por edhe në lidhjen dhe logjistikën, sepse “Greqia mund të bëhet një qendër e rëndësishme rajonale”.